AktualitetPolitikëTë fundit

Bardhi: Me inflacionin 36 % të 12 viteve, pensionet janë ulur me të paktën 8 %

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaroi sot se se miratimi i minimumit jetik nuk është lëmoshë.

Në seancën plenare në Kuvend, Bardhi reagoi ndaj ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koҫiu lidhur me refuzimin për përcaktimin me ligj të minimumit jetik.

“Shqiptarët nuk janë mësuar të kërkojnë lëmoshë dhe nuk kërkojnë lëmoshë nga qeveria e tyre. Shqiptarët kërkojnë atë që ju i keni premtuar tash e 12 vite. Ju keni qëndruar peng të krahasimit me vitin 2013, duke harruar dhe duke nxjerrë nga ekuacioni një të dhënë që është domethënëse zonja ministre, sesa janë rritur çmimet gjatë këtyre 12 viteve dhe sesi jetonin me aq të ardhura shqiptarët në 2013-ën dhe si jetojnë sot”, tha Bardhi.

“Ju i thoni pensionistëve që nuk ka nevojë t’ua rrisim pensionet. Do të duhet të jenë pensionet njësoj si në vitin 2013, por keni harruar që pensionistëve dhe çdo shqiptari i keni dyfishuar çmimin e energjisë elektrike, i keni dyfishuar çmimin e ujit të pijshëm. I keni dyfishuar apo trefishuar çdo shërbim që marrin dhe që e kanë të domosdoshëm për jetesë qytetarët shqiptarë”, tha Bardhi.

Bardhi më pas u shpreh se është zvogëluar lista e barnave të rimbursueshme.

“Ju zonja ministre i thoni pensionistëve që nuk kanë nevojë as për minimum jetik, as për rritje pensionesh, por harroni që me firmën tuaj si ministre Shëndetësie, keni ndryshuar listën dhe keni zvogëluar në fakt listën e barnave të rimbursueshme dhe sot pensionistët kanë shpenzime të shtuara për të siguruar ilaçet. Dhe ju në fakt do të duhet të jepnit përgjigje pse e keni bërë këtë? Cilin prej oligarkëve apo bashkëpunëtorëve të Edi Ramës keni favorizuar me ndryshimin e listës së barnave të rimbursueshme, duke i detyruar pensionistët që për të siguruar jetën e tyre, shëndetin e tyre të paguajnë pothuajse pensionin e plotë që marrin në një muaj? A keni guxim ju zonja ministre të ngriheni dhe të sqaroni kush ju ka detyruar të ndryshoni listën e barnave të rimbursueshme? Sigurisht që jo. Sepse ju ka detyruar Edi Rama për një aleat të vetin politik, për të favorizuar një aleat të vetin politik”, tha Bardhi.

“Dhe ju ngriheni në parlament dhe thoni se t’i sigurosh minimumin jetik 200 mijë lekë të vjetra një pensionisti është lëmoshë. Jo zonjë, ka qenë premtim i vitit 2013, i pambajtur i qeverisë tuaj. Ka qenë premtim i vitit 2017, i pambajtur i qeverisë tuaj. Ka qenë premtim i vitit 2012, i pambajtur i qeverisë tuaj. Dhe ju këtu jeni për të dhënë llogari për atë që i keni premtuar qytetarëve në 3 fushata radhazi dhe që nuk e keni mbajtur në asnjë prej viteve, 12 viteve të qeverisjes tuaj”, u shpreh më tej Bardhi.

“Flisni ju për lëmoshë? Po pse pensionistët në Maqedoninë e Veriut që në muajin tetor kur ju ia shtuat pensionin 4 mijë lekë të vjetra, qeveria e re e Maqedonisë sw Veriut ia shtoi 40 mijë lekë të vjetra. Nuk e quajtën lëmoshë ata, e quajtën premtim të mbajtur të një qeverie të përgjegjshme. Madje- madje zonja ministre, pas 5 apo 4 muajsh në mars kanë parashikuar në buxhetin që miratojnë njësoj si ne, edhe një shtesë të dytë prej 40 mijë lekësh të vjetra, ose 40 euro, duke e përfshirë në harkun e 6 muajve shtesën prej 80 euro zonja ministre, përkundrejt 4 mijë lekëve të vjetra që ka dhënë qeveria juaj për pensionistët në Maqedoninë  e Veriut, duke e çuar pensionin jo 156 euro pensioni mesatar sa e ka Shqipëria, por duke e çuar aq sa ata e meritojnë 405 euro. Dhe kjo nuk quhet lëmoshë, kjo quhet një qeverisje e përgjegjshme, që qeveris për qytetarët, nuk qeveris për 5 apo 6 njerëz”, theksoi Bardhi.

“Do mjaftonin 50 milionë euro që i shtoi me një të rënë të lapsit në tunelin e Llogorasë që të parashikonim bonusin e fundvitit 2015 për pensionistët. Do të mjaftonin 50 milionë euro që u shtuan me një të rënë të lapsit në tunelin e Llogorasë për të siguruar 5-fishimin e fondeve për rritjen e pensioneve”.

Bardhi theksoi se, fondi për shpërblimin e pensionistëve për vitin 2025 është zero.

“Folët për pensionistet 6 muaj para zgjedhjeve. Na thoni sa është fondi për shpërblimin e pensionisteve për vitin 2025? Është zero!! Sepse filozofia juaj është mashtrimi. Ju nuk pyesni për ta. Edhe këtë fond të këtij viti e keni për mashtrim e keni për vota. Sa ta kryeni këtë parat i çoni tek xhepi juaj. Ju anëtarë të qeverisë mjafton t’ju shikojmë se si jeni transformuar dhe kjo kuptohet se nuk jeni për qytetarët, por për interesin tuaj, për vjedhjen tuaj. Paratë i çoni për PPP për tenderë, i ndryshoni fondet çdo tre muaj. Pasi të vidhni thoni hajt të shikojmë çfarë ka mbetur dhe ndoshta mund t’i japim ndonjë gjë pensionistëve. Në 12 vite duke marrë parasysh inflacionin, i cili është 36% del qartë se ju nuk i keni rritur pensionet, por i keni ulur me të paktën 8%”, tha Bardhi.

Bardhi gjithashtu i bëri thirrje mazhorancës për t’u bërë bashkë për të respektuar pensionistët.

“Le të bëhemi të gjithë bashkë të respektojmë një shtrese të rëndësishme siç janë pensionistet. Janë prindërit tanë janë nënat dhe baballarët tanë. Të mos i trajtojmë ato si instrument propagande apo për politikë. Të ngremë jo kartonin e kuq kundër tyre, por kartonin jeshil si moment shprese për ta dhe për të ardhmen e Shqipërisë”, tha Bardhi.

 

Fraksion.com