AktualitetTë fundit

“E kishte kuptuar që përgjohej”, detaje nga dosja e Suel Çelës, komunikonte nëpërmjet një aplikacioni tjetër

Në shkurt të vitit 2021, organizata kriminale e drejtuar nga Suel Çela kishte ngritur dyshime se aplikacioni i enkriptuar SKY ECC mund të ishte përgjuar nga agjencitë ligjzbatuese. Këto dyshime u shfaqën pas një operacioni të policisë holandeze që çoi në sekuestrimin e 446 kilogramë kokainë në një magazinë, e cila kishte dalë nga porti i Roterdamit. Lënda narkotike ishte nisur nga Ekuadori dhe kaloi tranzit në Belgjikë, por u zbulua nga autoritetet gjatë kontrollit.

Në komunikimet mes Suel Çelës dhe Ergys Dashit, i cili kishte rolin e sigurimit të drogës në Ekuador, Çela e shprehu shqetësimin se këto telefona mund të ishin përgjuar nga policia. Ai theksoi se do të zbulohej gjithçka kur të arrestuarit të dilnin para gjykatës holandeze. Gjatë hetimeve të SPAK për grupin e Suel Çelës, u zbulua se Ergys Dashi ishte pika e kontaktit mes grupeve kriminale shqiptare dhe atyre të Ekuadorit, të cilët siguronin drogën.

Dashi gjithashtu shfrytëzonte një aplikacion tjetër të enkriptuar, No1BC, për të komunikuar me shoferin e kamionit që transportonte kokainë, e fshehur në kutitë e bananeve. Pas sekuestrimit të drogës nga autoritetet holandeze, Dashi shfaqi shqetësimin e tij për humbjen e një sasie të madhe parash dhe dyshoi se komunikimet ishin përgjuar, pas kontrollit të autoriteteve doganore në firmën që kishte bërë porosinë e bananeve./tch

 

Fraksion.com