Autori e qëlloi pa nxjerrë armën nga xhepi. Detaje nga vrasja në Ndroq!
Në mesditën e së dielës, në një prej lokaleve më të frekuentuara të zonës në Ndroq, Alfred Dedja 50 vjeç u vra me disa plumba nga autori i dyshuar Julian Gjoshi. 50-vjeçari ka qenë i vetëm në tavolinë, ndërsa autori i armatosur ka hyrë në lokal dhe sapo i njohuri i tij është ngritur në këmbë t‘i jepte dorën, ai e ka qëlluar duke e lënë të pajetë në lokal.
Pistoletën autori nuk e ka nxjerrë në asnjë moment dhe ka qëlluar nga xhepi i xhupi.
Viktima dhe autori janë identifikuar menjëherë, jo vetëm se ata kanë qenë më herët të njohur për disa vepra penale, por se autori ka qenë i pamaskuar.
Dedja dhe autori 27 vjeç sipas të dhënave kanë pasur njohje të mëhershme me njëri-tjetrin, ku Dedja bëhet me dije se ka punuar para disa vitesh edhe në kompleksin e Altin Hajrit, Golden në Shijak, kompleks në të cilin u mbajt trupi i pajetë i Jan Prengës, deri në momentin që u nxor nga aty dhe u zhduk.
Autori i dyshuar Julian Gjoshi rezulton me precedentë të mëparshëm penalë për armëmbajtje pa leje. Ai është kunati i Altin Hajrit (vëllai i gruas së Hajrit), pronarit të kompleksit “Golden” në Shijak, i kërkuar për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jani Prengës dhe lidhje e afërt gjithashtu me ish deputetin socialist i arrestuar pak kohë më parë Jurgis Çyrbja, i cili akuzohet se i jepte sekrete hetimore që të mos arrestohej gjatë kohës që ishte në kërkim.
Ndërkohë në dosjen e SPAK, nga përgjimet e Sky Ecc rezultoi se në janar 2021 Altin Hajri i ka kërkuar ndihmë ish deputetit të PS-së Jurgis Çyrbja për të liruar kunatin e tij, pikërisht Julian Gjoshi i cili ishte kapur me pistoletë Bereta.
Fraksion.com