Rama me prindër e mësues në Fier: Ndalimi i TikTok dhe Snapchat, një nga shumë elementët e zgjidhjes
Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, vijuan fushatën e këshillimit me komunitetin e prindërve në shkollën “Janaq Kilica” në Fier.
Ky cikël konsultimesh i marrë shkas nga tragjedia e vrasjes së një 14 vjeçari nga bashkëmoshatari i tij, bëri bashkë prindër, përfaqësues të këshillit kombëtar dhe atij rajonal të prindërve, mësues e drejtues shkollash, në një shkëmbim të gjerë opinionesh mbi fuqizimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe krijimin e një fronti të përbashkët kundër të gjitha formave të dhunës, përfshirë këtu edhe bullizmin në rrjetet sociale.
Kjo fushatë synon të adresojë ndikimin e rrjeteve sociale si TikTok dhe Snapchat te fëmijët dhe të rinjtë, duke promovuar ndërgjegjësimin për rreziqet dhe pasojat e tyre.
Gjatë takimit, Kryeministri Edi Rama theksoi shqetësimet lidhur me ndikimin e këtyre platformave tek fëmijët.
Rama u shpreh se “dua të them disa gjëra që janë edhe në një farë mënyre, reflektim i bashkëbisedimit të parë që zhvilluam me ministren në Tiranë me një grup përfaqësues të këshillave të prindërve të shkollave të Tiranës dhe natyrisht edhe atyre që munda të dëgjoj këtu. Gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje në takimin e parë është dallimi shumë i madh midis shqetësimeve serioze që shprehën ata që ishin në atë takim nëna, baballarë, por edhe njerëz që duke qenë pjesë e këshillit të prindërve kishin një lloj horizonti edhe më të gjerë për sa i përket komunitetit të prindërve në tërësi dhe këndvështrimeve të komunitetit të prindërve dhe reflektimit të shqetësimeve në të gjitha pasqyrat e mediave qofshin ekrane, portale dita me natën në aspektin e qasjes, por edhe në aspektin e mënyrë së komunikimit”.
“Jo një por disa nga ata prindër duke folur për këto rrjetet sociale, për Tiktok në mënyrë të veçantë ngritën shqetësimin që presioni i jashtëm i këtyre lloj platformave mbingarkohet në mënyrë të jashtëzakonshme dhe nga presioni i platformave mediatike brenda vendit. Nuk e sjell këtë këtu për të folur për mediat, por për t’u vendosur një kornizë të gjithë sfidave që ka sot një familje, që kanë sot edhe të rriturit që janë edhe prindër, përballë këtij presioni që rrit tensionin dhe konfuzionin dhe nuk e bën të lehtë, e bën më të vështirë dhe të kesh atë qetësi që duhet të merresh me pjesën që ka të bëjë me më të vegjlit qoftë në familje dhe në shkollë”, theksoi Rama.
Sipas tij, edhe mësuesit janë nën këtë presion si të gjithë qytetarët e tjerë.
“Këto janë platforma që nuk kanë dallime nëse je fëmijë apo i rritur dhe një fëmijë që nuk është mjaftueshmërisht i ndërgjegjshëm për të ndarë të mirën nga e keqja, për të kuptuar pasojat e njërës apo tjetrës, këto platforma e stimulojnë në mënyrë kriminale. Ne jemi në kushtet e një bote që krijon të njëjtën varësi siç krijojnë drogat”, theksoi Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “ndalimi i TikTok dhe Snapchat nuk është zgjidhja, por është një nga shumë elementët e zgjidhjes, sepse asgjë nga këto nuk e heq dot përgjegjësinë dhe peshën që ka ndërveprimi mes të rriturve në familje dhe fëmijëve”.
“Pastaj ndërveprimi mes familjes dhe shkollës dhe mes shkollës dhe familjes dhe rruga nga shkolla në shtëpi dhe nga shtëpia në shkollë, janë të gjitha këto që kanë rëndësi”, tha kryeministri Rama.
Fraksion.com