AktualitetBota+Të fundit

Ukraina thotë se Rusia ia ka kthyer mbi 500 ushtarë të vrarë

Kievi tha se autoritetet ruse ia kanë kthyer mbi 500 trupa të ushtarëve të vrarë në luftime, shumica nga ta të vrarë në rajonin lindor të Donjeckut.

Rusia dhe Ukraina kanë këmbyer trupat e ushtarëve të vrarë dhe të të burgosurve të luftës që në muajt e parë të luftës, që Moska nisi në shkurt të vitit 2022. Numri i viktimave në të dyja palët vlerësohet të jetë i lartë.

“Si rezultat i aktiviteteve të riatdhesimit, trupat e 502 mbrojtësve të rënë janë kthyer në territorin e kontrolluar nga Qeveria e Ukrainës”, tha qendra koordinuese për trajtimin e të burgosurve të luftës e Ukrainës.

Kjo qendër tha se 397 trupa që u kthyen ishin të ushtarëve të vrarë në Donjeck, rajonin ku po zhvillohen luftimet më intensive.

Qendra tha po ashtu se 24 trupa ishin të ushtarëve të vrarë në rajonin lindor të Luhanskut, 64 nga ai jugor i Zaporizhjas, ndërkaq 17 të tjerë gjendeshin në morgjet në territorin rus.

“Jemi mirënjohës për ndihmën e ofruar nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar”, tha qendra në Kiev.

Rusia, ndërkaq, nuk ka njoftuar për kthimin e trupave të vrarë./VOA

 

Fraksion.com