AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha me shqiptarët në Greqi: Vota juaj ka rëndësi përcaktuese për Shqipërinë

Në takimin me shqiptarët në Greqi, Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha e nisi fjalimin e tij përshëndetës me urime të përzemërta për Ditën e Pavarësisë dhe Flamurit, duke shprehur mirënjohje për pjesëmarrësit dhe organizatorët.

Berisha e vendosi theksin e tij mbi shqetësimin për situatën aktuale në Shqipëri, e cila përshkruhet si një diktaturë e re.

Berisha, në takimin me shqiptarët në Greqi, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve fqinjësore dhe miqësore mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke i përshkruar si të ndërtuara mbi histori të përbashkët dhe respekt reciprok.

Berisha gjithashtu vlerësoi emigrantët shqiptarë në Greqi për kontributin e tyre në zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, duke i konsideruar një urë të fortë mes dy popujve.

Ai foli edhe edhe për çështjen e detit. “Me Greqinë ne jemi dy vende fqinj në shekuj, në mijëvjeçarë dy popuj fqinj. PD është e vendosur për marrëdhënie të konsoliduara të fqinjësisë dhe miqësisë së mirë me vendin ku ju jetoni.

Së pari, qeveria e PD arriti të firmosë marrëveshjen e detit me Greqinë dhe unë u them ju se ajo marrëveshje ishte, siç quhet, fitim-fitim, pra fitonte secila palë. Ajo ishte një marrëveshje e ndershme, transparente, të cilën Edi Rama e paditi në gjykatë, dhe pasi e rrëzoi në gjykatë për interesa joshqiptare, u soll në mënyrën më të papërgjegjshme me autoritetet greke.

Pasi negociuan katër vite me radhë, një ditë të bukur dalin e u thonë, tani nuk na lë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kush humbi në këtë mes? Humbi Shqipëria”, tha Berisha.

Pse humbi Shqipëria? Sepse mungesa e plotë e seriozitetit të qeverisë së Tiranës, bëri që qeveria greke, e cila kishte qëndruar për dekada në hapësirën 6 milje të ujërave territoriale, në përputhje me traktatin ndërkombëtar, kaloi në 12 milje. Dhe këtu Greqia nuk shkeli asnjë traktat, përkundrazi Greqia shfrytëzoi atë të drejtë ndërkombëtare që i jep traktati i detit”, shtoi Berisha.

“Kështu që marrëveshja që do firmoset, firmoset në kushte shumë të pafavorshme se marrëveshja e parë. Kjo për shkak të papërgjegjshmërisë së Tiranës”, theksoi Berisha.

Ish-Kryeministri, më tej u bëri apel për të marrë pjesë në zgjedhje.

“ju ftoj të angazhoheni në këtë fushatë, në të cilën vota juaj ka rëndësi përcaktuese për Shqipërinë, shqiptarët dhe të ardhmen e saj. Ju garantoj se PD, nesër në qeveri me koalicionin e saj, do krijojë kuadrin ligjor më të favorshëm, më miqësor për rikthimin e emigrantëve shqiptarëve, investimet e tyre. Kuadër, i cili ç’është i vërteta u instalua edhe njëherë, por tani do jetë shumë më i gjerë në mënyrë që suksesin që keni pasur në Greqi, të vini dhe ta transferoni në Shqipëri.

Ju dhe emigrantët e tjerë nga të gjitha vendet, por para së gjithash duhet të angazhohemi për pjesëmarrje masive në votime. Roli juaj është i pazëvendësueshëm, është përcaktues”, nënvizon Berisha.

Ai mbylli fjalën e tij, duke i uruar për ditën e flamurit.

Fraksion.com