Luis Meçja kërkoi ndihmë financiare për t’u kuruar, Spitali i Traumës: Gjendja e përmirësuar, nuk nevojitet trajtim jashtë mundësive tona
Spitali i Traumës ka reaguar përmes një njoftimi për mediat, pasi 14-vjeçari Luis Meçja që u plagos para shkollës “Fan Noli” gjatë sherrit ku u vra Martin Cani, bëri apel për ndihmë për të përballuar shpenzimet për t’u kuruar.
Spitali i Traumës bën me dije se gjendja e Luisit është e stabilizuar dhe se deri më tani situata në të cilën ai ndodhet paraqitet e mirë dhe se nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.
Në njoftimin e spitalit thuhet ndër të tjera se se Luisit i është dhënë shërbimi mjekësor i nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme.
Reagimi i Traumës
Informacion për interesin publik, nisur nga aludimet për mungesën e shërbimit ndaj pacientit 14 vjeçar i plagosur pranë Shkollës “Fan Noli”:
Në lidhje me rastin e pacientit 14- vjeçar i cili ka mbërritur në Spitalin Universitar të Traumës më 18 nëntor, dëshirojmë të bëjmë me dije se ekipi mjekësor i Pranim Urgjencës i ka dhënë pacientit shërbimin mjekësor të nevojshëm dhe pas stabilizimit të gjendjes fillestare ai është shtruar për të vazhduar trajtimin në pavionin e Kirurgjisë së Përgjithshme.
Përveç kujdesit mjekësor intensiv, pacienti ka marrë edhe mbështetje psikologjike nga psikologët. Gjatë qëndrimit në spital, ndaj 14- vjeçarit janë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore për trajtimin fizik dhe psikologjik, dhe gjendja e tij është përmirësuar ndjeshëm.
Në momentin që ka qenë i nevojshëm dhe i mundur, pacienti ka filluar trajtimin fizioterapik, i cili është në vijim dhe ka dhënë rezultate pozitive. Aktualisht, gjendja e pacientit paraqitet e mirë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë komplikacion që të kërkojë ndihmë jashtë mundësive të ofruara nga Spitali Universitar i Traumës.
Mirënjohje për ekipin mjekësor dhe të gjithë specialistët që po ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes së pacientit dhe sigurojmë publikun që Spitali Universitar i Traumës vazhdon të ofrojë kujdes mjekësor të specializuar dhe gjithëpërfshirës për të gjithë pacientët.
Luis Meçja mori 4 goditje me thikë, mblidhen mbi 70 mijë euro pas apelit për ndihmë
Kujtojmë se Lusi i cili ndodhet në spitalin e Traumës pasi mori 4 goditje me thikë që i shkaktuan dëme të rënda në trup, hapi një faqe GoFundMe ku kërkon ndihmë financarie për shkak se prindërit e tij janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun e fizioterapistin.
Në mesazh, Luis Meçja shkroi se ka marrë 4 goditje me thikë në stomak, shpinë dhe në mushkëri, teksa shprehet “e keni parë çfarë më bënë dy personat me thika, një masakër”.
“Përshëndetje, unë jam Luis Mecja, jam 14 vjeç, kam nevojë për ndihmën tuaj që të shërohem. Javën e kaluar më goditën 4 herë me thikë, në stomak, në shpinë dhe në mushkëri. Unë kam një javë në spital, por prindërit e mi janë të varfër dhe nuk paguajnë dot spitalin, psikologun, fizioterapistin. Ju mund ta shihni historinë time në Facebook, Instagram, lajme, çfarë më bënë dy personat me thika, një masakër. Ju lutemi na ndihmoni”, shkruhet në faqen GoFundMe.
Fraksion.com