Berisha: Po të zgjoheshin sot Ismail Bej Vlora dhe etërit e tjerë të pavarësisë nuk do të njihnin asgjë nga Shqipëria
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka uruar shqiptarët me rastin e ditës së shpalljes së shpalljes së Pavarësisë.
Kryedemokrati nënvizoi se Ismail Qemali, me një vizion gjenial dhe në kushte tërësisht të kundërta me ëndrrën e tij dhe të shqiptarëve, ngriti në Vlorë flamurin e Skëndërbeut, shpalli Pavarësinë në një akt shpëtimtar të ekzistencës së Shqipërisë, por edhe të kombit shqiptar.
Berisha tha në fjalën e tij se Ismail Bej Vlora dhe etërit e tjerë të pavarësisë po të zgjoheshin sot, nuk do të njihnin asgjë nga Shqipëria në të cilën ata shpallën pavarësinë. Shqipëria është vite e vite drite larg.
“Sot unë kam një urim nga zemra për të gjithë qytetarët e Vlorës, për të gjithë shqiptarët, Gëzuar festën e Festave, datën e lindjes, datën e re të lindjes së Shqipërisë moderne, ditën e Pavarësisë.
Një ditë kjo në të cilën Ismail Bej Vlora, me një vizion gjenial dhe në kushte tërësisht të kundërta me ëndrrën e tij dhe të shqiptarëve, ngriti në Vlorë flamurin e Skënderbeut, shpalli Pavarësinë në një akt shpëtimtar të ekzistencës së Shqipërisë, por edhe të kombit shqiptar”, tha Berisha.
Sipas Berishës, vendin e pasurive më përrallore, më mahnitëse, qeverisja socialiste, e shndërroi në vendin e kanabisit, vendin e drogës dhe se shtetin ligjor e zëvendësoi me narkoshtetin.
Berisha tha se Partia Demokratike është shpresa e fundit dhe historia kurrë nuk do të na falë, nëqoftëse ne nuk shpëtojmë shqiptarët nga kjo narkodiktaturë.
“Diktaturat ka vetëm dy rrugë për largimin e tyre, ose me armë, ose me mosbindje civile dhe votë. Ne jemi Parti Demokratike, ne jemi parti jo e dhunës, ne jemi parti e vlerave, mosbindjes civile, votës së lirë. Rruga që kemi nisur është rruga drejt fitores.
Kam shumë besim, jam besimplotë që ne do të realizojmë qëllimet tona. Kjo ditë po të rikthehesh 112 vjet më parë, me vështirësitë e jashtëzakonshme në të cilën Ismail Bej Vlora dhe bashkëpunëtorët e tij, guxuan, ndërkohë që i përkrahte vetëm një shtet në botë, kundër të gjithëve të ngrejë flamurin e Skënderbeut në Vlorë”, tha Berisha.
Megjithëse dje iu hoq masa e sigurisë “arrest shtëpie”, Berisha zgjodhi që të marrë pjesë nëpërmjet online në takimin e organizuar nga departamenti Brain Gain dhe Ekselenca në Partinë Demokratike, takim i organizuar së bashku me degën e PD-së Vlorë, në kuadër të kalendarit 12-mujor për projektin “Në kërkim të Simboleve: Qëndresa si vlerë dhe Kalaja e Kaninës si simbol i saj”.
Fraksion.com