Begaj uron 112-vjetorin e Pavarësisë: Të çojmë përpara arritjet e Shqipërisë e kombit shqiptar
Presidenti Bajram Begaj uroi sot festën e Pavarësisë, ndërsa apeloi për të çuar përpara arritjet e Shqipërisë dhe kombit.
“Nga sheshi historik i Vlorës, simboli i arritjes madhështore të 28 Nëntorit 1912, i vlerave që çmojmë, bashkimit të vullneteve në emër të Shqipërisë e për të ardhmen e saj, ju uroj gëzuar”, u shpreh Begaj.
“Kudo ku janë bashkëatdhetarët tanë, i ftoj nga Vlora e Pavarësisë që, në çdo angazhim që kanë e iniciativë që ndërmarrin, të kenë vetëdijen e vendosmërisë, bukurisë, sakrificës, e të çojnë përpara arritjet e Shqipërisë e kombit shqiptar”, vijoi mesazhi i Kreut të Shtetit.
Në qytetin e Vlorës, pranë monumentit të Pavarësisë, u zhvillua sot ceremonia e ngritjes së flamurit me rastin e 112- vjetorit të Pavarësisë. Të pranishëm në ceremoni ishin kryeministri Edi Rama, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, prefekti i qarkut të Vlorës, Kristaq Kiço, kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha, drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të komuniteteve fetare, qytetarë, etj.
Fraksion.com