Sot protestoj. Nuk do t’i çoj fëmijët në shkollë!
Nga Etleva Kondakçiu
Unë sot fëmijët nuk i çoj në shkollë.
Protestoj.
Dua të di, të sigurohem, se të paktën që nga humbja e Martinit, do të funksionojë një sistem referimi.
Kërkoj të di çfarë do të bëjnë konkretisht psikologët, punonjësit socialë dhe punonjësit e sigurisë për t’i pikasur fillesat e konflikteve e për të sinjalizuar në kohë dhe ku duhet.
Kërkoj të di çfarë NUK është në gjendje të bëjë shkolla.
Kërkoj që SIGURIA, fizike dhe psikologjike, të jenë prioritet për shkollën.
Kërkoj që fëmijët, djem dhe vajza, të ndihen e të trajtohen njësoj.
Kërkoj MBËSHTETJE për mësuesit dhe gjithë stafin mësimor dhe jomësimor në shkolla. Të paguhen dhe të trajtohen me dinjitet. Fëmijët e mi ma kanë përmendur shumë herë me dashuri dhe respekt një nga pastrueset e shkollës, por asnjëherë psikologët.
Kërkoj që MËSUESIT TË MOS KENË FRIKË nga prindërit, nxënësit apo partitë politike.
Kërkoj DINJITET për mësuesit.
Unë si prind ndoshta nuk po bëj mjaftueshëm, por të paktën po u tregoj fëmijëve të mi se ç’do të thotë të punosh e të jetosh me djersë, se të mos mendosh vetëm për vete është e vështirë, por gjëja e duhur./dritare.net
Fraksion.com