AktualitetTë fundit

Skandali me djalin e zyrtarit të BKH/ Zinxhiri që dështoi në zbardhjen e vrasjes së Martin Canit

Që prej orës 13:00 të 18 nëntorit familja e të miturit Martin Cani nuk po gjen qetësi! Prindërit e të miturit nuk kanë fuqi as të kërkojnë drejtësinë e munguar për djalin e tyre, ndërkohë që hetimi i ngjarjes po vihet përditë në dyshim për shkak të detajeve të reja që dalin në media. Në një praktikë të kthyer në rrugë, Policia e Shtetit ka bërë vetëm 2 njoftime për ngjarjen e rëndë. Të parin ku njofton se Martin Cani ndërroi jetë, dhe reagimin e dytë, që më shumë sesa sqarim për opinionin e gjerë është një sulm ndaj mediave që zgjodhën të raportonin versionin alternativ, atë që vjen nga burime jo zyrtare por që paraqet një tjetër situatë nga ajo që paraqet Policia.

“Policia e Shtetit vëren se burime të caktuara janë angazhuar në një fushatë mediatike dizinformimi, lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit nga një bashkëmoshatar i tij, në një distancë rreth 200 metra nga shkolla “Fan Noli” në Tiranë.”-sqaroi Policia duke sulmuar mediat, për të sqaruar më tej se në ngjarje nuk ka patur një “autor të dytë”.

“Policia e Shtetit disponon dëshmi të personave të përfshirë në konflikt dhe pamje filmike në afërsi të vendit të ngjarjes ku ka ndodhur tragjedia dhe në kushtet e ndalimit ligjor për publikimin e tyre, informon opinionin publik se nga hetimet e deritanishme nuk implikohet një autor i dytë i përfshirë në këtë ngjarje.”-sqaroi Policia.

Por çfarë ka ndodhur? Fill pas kësaj deklarate, gazetarët ndjenë sfidën nga Policia, një sfidë që në të shkuarën, kur Policia e drejtuar nga Sandër Lleshaj akuzonte Klodian Rashën se kishte armë, gazetarët e fituan duke i treguar mbarë opinionit publik si qendronte e vërtetea.

Është kurajoja gazetareske që zbuloi pse zinxhiri në këtë ngjarje u këput dhe hetimi u devijua. Fill pasi OPGJ, Igli Mollaj hartoi procesverbalin ku përfshihen 5 të miturit, njëri prej tyre Kledion Bejkaj, u përjashtua nga çështja, dhe për emrin e tij Policia nuk kreu asnjë hetim shtesë. E njëjta gjë u pasua dhe nga veprimet e Prokurorisë.

A do të ndodhte kjo nëse Kledion Bejkaj nuk do të ishte djali i ish-kandidatit për drejtues të BKH, Maksim Bejkaj?

Bejkaj sot është oficer i SPAK, pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe është dora e parë e bashkëpunimit të kreut të SPAK, Altin Dumani, dhe personi i parë që kopsit dosjet në ngarkim të politikanëve të nivelit të lartë apo eksponentëve të krimit të organizuar.

Në këtë situatë, përballë djalit të një zyrtari të lartë të BKH, Policia e Ervin Hoxhës zgjodhi të bënte hapa pas. Të ruante një emër për të devijuar hetimet apo për të ruajtur imazhin në publik të të miturit, kjo është një përgjigje që duhet ti jepet përgjigje nga institucionet përkatëse. Ajo që sot familja e Martin Canit ka nevojë është drejtësi dhe garanci se hetimi nuk do të preket, dhe se autorët, dy ose një do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre, për aq sa përcakton ligji.

Nga ana tjetër, edhe ministri dhe kupola e Policisë së Shtetit duhet të shohin brenda vetes për të parë a kanë ndjekur rrugën e duhur në hetimin e kësaj ngjarjeje. Rasti i fundit në Pogradec ku Muhamet Rrumbullaku doli dhe sulmoi mediat për vrasjen e Egli Progës tregoi se betejat u fituan nga e vërteta dhe se z.Rrumbullaku sot është në ndërtim duke ndjekur pasionet e tij. A do të ketë një përgjegjës në këtë ngjarje? A ka AMP sot një emër brenda Policisë që ka përpjekur të fshehë identitetin dhe përgjegjësin e zyrtarit të BKH? Publiku pret përgjigje!/Artikull i Dosja.al

 

Fraksion.com