AktualitetBota+Të fundit

Rusia thotë se do të përgjigjet, nëse SHBA-ja vendos raketa në Japoni

Rusia ka thënë të mërkurën se, nëse Shtetet e Bashkuara vendosin raketa në Japoni, siguria e Rusisë do të kërcënohet dhe se Moska do të hakmerret.

Agjencia e lajmeve Kyodos e Japonisë raportoi të dielën se Japonia dhe Shtetet e Bashkuara synojnë ta përpilojnë një plan të përbashkët ushtarak për gjendje të mundshme emergjente rreth Tajvanit, e cila përfshin edhe vendosjen e raketave.

Ajo citoi burime amerikane dhe japoneze duke thënë se, sipas planit, SHBA-ja do të vendoste njësite raketore në Ishujt Nansei në prefekturat jugperëndimore të Japonisë, Kagoshima dhe Okinawa, si dhe në Filipine.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e akuzoi Japoninë se po e përshkallëzon gjendjen rreth Tajvanit për gjoja ta arsyetuar thellimin e lidhjeve ushtarake me Uashingtonin.

“Ne e kemi paralajmëruar vazhdimisht palën japoneze se nëse, si pasojë e një bashkëpunimi të tillë, raketat amerikane me rreze të mesme shfaqën në territorin e saj, kjo do të përbëjë rrezik serioz për sigurinë e vendit tonë dhe ne do të detyrohem të ndërmarrim masa, hapa të duhur për ta përforcuar mbrojtjen tonë”, tha ajo.

Zakharova tha se Tokio mund t’ia ketë idenë se çfarë do të ishin ata hapa duke e lexuar doktrinën e përditësuar bërthamore të Rusisë, e publikua javën e kaluar, e cila zgjeron listën e skenarëve në bazë të të cilëve Moska mund ta shqyrtojë përdorimin e armëve bërthamore.

Të hënën, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se Rusia do të shqyrtojë vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme në Azi, nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosnin raketa të tilla në kontinent.

E pyetur për këtë deklaratë, Zakharova nuk pranoi të tregojë se ku Rusia mund t’i vendosë këto armë, por theksoi se gjysma e territorit të saj ndodhet në Azi.

Ajo tha se Moska i ka dërguar sinjal të qartë Shteteve të Bashkuara dhe “satelitëve” të tyre se Rusia do të përgjigjet në mënyrë vendimtare dhe simetrike ndaj vendosjes së raketave tokësore me rreze të mesme dhe të shkurtër në pjesë të ndryshme të botës.

Zakharova tha se Perëndimi nuk duhet të ketë dyshime për potencialin e Rusisë pas lëshimit të një rakete të re hipersonike me rreze të mesme, Oreshnik, ndaj një objektivi në Ukrainë javën e kaluar./REL

 

Fraksion.com