AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Kosovë: Hidhen granata dore në oborrin e stacionit policor në Zveçan

Policia e Kosovës tha se të martën në mbrëmje persona të panjohur kanë hedhur dy granata dore në oborrin e stacionit policor në Zveçan, që lanë pas vetes dëme materiale, po pa pasoja në njerëz.

Policia tha se rasti po trajtohet si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, por tani për tani nuk ka të dyshuar dhe nuk dihet asgjë për motivet e sulmit.

Policia e Kosovës i dënoi siç tha “veprime të rrezikshme” ndërsa kërkoi nga qytetarët që të bashkëpunojnë me autoritetet për të ndihmuar në identifikimin e autorëve të këtij sulmi.

Sulmin e dënoi edhe kryetari i komunës së Zveçanit Ilir Peci, i cili në rrjetet sociale shkroi se “ky është një akt i papranueshëm dhe një kërcënim serioz ndaj sigurisë publike, që ka tronditur jo vetëm qytetarët tanë, por gjithashtu ka cënuar institucionet e rendit dhe ligjit”.

Zveçani është një nga katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, që aktualisht udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit të vitit të kaluar, të cilat u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Dërgimi i kryetarëve në zyrat e tyre në fund të muajit maj të vitit të kaluar u kundërshtua ashpër nga grupe qytetarësh serbë të cilët u përplasen me policinë e Kosovës dhe forcat paqeruajtëse të NATO-s, duke plagosur mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it./VOA

 

Fraksion.com