Alaudin Hamiti kërcënohet me jetë nga familjarët e ish-banorit të “BBVK”
Prezantuesi i edicionit të tretë të “Big Brother VIP Kosova” (BBVK), Alaudin Hamiti, është përballur me një situatë të rëndë pas kërcënimeve me jetë të marra nga familjarët e ish-banorit Eduard Kuçi.
Sipas raportimeve, Hamiti ka kryer një denoncim në polici, duke bërë të ditur se ka marrë mesazhe kërcënuese përmes platformës Facebook, në adresën zyrtare të Klan Kosova. Një nga kërcënimet përfshinte mesazhin:
“Edi është nipi im, ato fjalë që ia ka thënë Alaudini besomë se ka për t’i paguar me jetë dhe për ngritjen e tonit ka për të ngrënë plumbin shpejt.”
Hamiti ka deklaruar gjithashtu se kërcënimet kanë ardhur në formën e mesazheve të shkruara dhe zanore, të cilat lidhen me ngjarjet gjatë emisionit të datës 25 nëntor.
Në atë prime, Eduard Kuçi kishte kërkuar të largohej me dëshirë nga shtëpia e “BBVK”-së, një vendim që shkaktoi tensione dhe debat mes banorëve dhe moderatorëve të spektaklit.
Policia ka nisur hetimet mbi rastin, ndërsa incidenti ka ngritur shqetësime për sigurinë e prezantuesve dhe stafit të “BBVK”. Klan Kosova ende nuk ka dhënë një deklaratë zyrtare mbi ngjarjen.
Fraksion.com