AktualitetBota+Të fundit

A do të luftojnë së shpejti ushtarë nga Jemeni në Ukrainë?

Nga Jens Thurau

Sipas gazetës “Financial Times” Rusia do të angazhojë edhe ushtarë nga Jemeni në luftën në Ukrainë. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk mendon se rreziku i një “lufte globale” është “serioz dhe real”.

Në luftën e saj agresore kundër Ukrainës, Rusia po përdor jo vetëm dronë luftarakë nga Kina dhe Irani, por edhe raketa balistike nga Pheniani. Rusia ka angazhuar edhe ushtarë nga Koreja e Veriut dhe së shpejti në luftë mund të marrin pjesë edhe ushtarë nga Jemeni. Sipas “Financial Times” milicia islamike Huthi po rekruton mercenarë për të shërbyer në ushtrinë ruse. Fjala është për disa qindra mercenarë jemenas që janë dërguar në Rusi përmes një sistemi të dyshimtë “trafikimi qeniesh njerëzore”.

Jemen | Ushtarë të milicisë islamike Huthi
Ushtarë të milicisë islamike Huthi mercenarë për të shërbyer në ushtrinë ruseFotografi: OSAMA ABDULRAHMAN/AFP via Getty Images

Duke cituar persona të prekur, gazeta shkruan se disa prej meshkujve i kishin joshur në Jemen me perspektivën për punë në Rusi dhe për marrjen e nënshtetësisë ruse. Në momentin që kishin mbërritur në Rusi, ata i kishin rekrutuan me forcë në forcat e armatosura ruse dhe i kishin dërguar menjëherë në front në Ukrainë.

Rekrutimi nga një politikan huthi

Rekrutimi në Jemen kryhet nga një kompani e themeluar nga një politikan i shquar huthi. Gazeta “Financial Times”  ka në dispozicion një kontratë rekrutimi nga e cila merret vesh se meshkuj jemenas janë rekrutuar për ushtrinë ruse që nga muaji korrik. Milicia Huthi e mbështetur nga Irani ka sulmuar vazhdimisht cisternat perëndimore në zona të tilla si Gjiri i Adenit që prej fillimit të luftës në Lindjen e Mesme rreth një vit më parë.

Paralajmërim për një “luftë globale”

Nëse këto lajme janë të vërteta, “kjo është jashtëzakonisht shqetësuese”, thotë Ministria e Jashtme në Berlin. Rreziku i një “lufte globale” është “serioz dhe real”, paralajmëron kryeministri i Polonisë, Donald Tusk. Po a ekziston rreziku i ndërkombëtarizimit të mëtejshëm të luftës?

Jemen 2024 | anija cisterne Rubymar duke u mbytur pas nje sulmi te miliceve Huthi
Milicia Huthi e mbështetur nga Irani ka sulmuar vazhdimisht cisternat perëndimore në Gjirin e AdenitFotografi: Wang Shang/Xinhua News Agency/picture alliance

Apo mos vallë ky është tashmë një realitet? Valeriy Zalushnyi, ish-kreu i forcave të armatosura të Ukrainës, tani ambasadori i Ukrainës në Britaninë e Madhe, thotë se beson se Lufta e Tretë Botërore tashmë ka filluar – sepse në konflikt janë përfshirë prej kohësh shumë vende.

Ajo që duket e qartë është se sipas vlerësimeve të fundit, Rusia ka humbur tashmë 700,000 ushtarë, për shkak se janë vrarë ose plagosur në luftën në Ukrainë. Kjo është ndoshta një nga arsyet pse rreth 12,000 ushtarë nga Koreja e Veriut, të cilët sundimtari Kim Jong Un i dërgoi në Rusi, po luftojnë aktualisht, sidomos në rajonin e Kurskut.

Rusia ka probleme të mëdha me burimet

Në një intervistë për DW, Roderich Kiesewetter, ekspert për politikën e jashtme në grupin parlamentar të partisë CDU, tha se ky lajm nuk e habit, sepse “Rusia ka pasur probleme të mëdha me burimet prej disa kohësh, si në aspektin material në fusha të caktuara dhe atë njerëzor. Rusisë i duhet tani të paguajë shuma të larta parash për të mobilizuar ushtarët rusë dhe po josh tani ushtarë me falje borxhesh.”

Presidenti Putin ka kohë që ka punuar ngushtë me grupin terrorist islamik Hamas ose me milicët huthi, të cilat që të dyja mbështeten nga Irani: “Prandaj nuk është për t’u habitur që tani po rekrutohen ushtarë nga Jemeni. Thuhet se nuk janë terroristë Huthi, por shtetas nga Jemeni që i joshin në Rusi me premtime të rreme dhe më pas i rekrutojnë praktikisht me forcë.”/DW

 

Fraksion.com