Rama: Standard i ri për sigurinë në miniera, pagat sot më të larta sesa lëmoshat e deridjeshme
Kryeministri Edi Rama u shpreh sot se pagat për ata që punojnë në miniera janë sot shumë më të larta se më parë, ndërsa është vendosur një standard i ri për sigurinë në punë.
Gjatë prezantimit të projektit për Parkun Tematik Retro, “Divizioni” në Bulqizë, Rama u shpreh se kjo është një mundësi e re për gjithë zonën, që deri dje identifikohej historikisht me minierat.
“Bulqiza është bërë shëmbëlltyra e sakrificës dhe vuajtjes për shkak të gjithë historive të vështira të tranzicionit, që tanimë e kemi lënë pas. Prej vitesh nuk dëgjojmë më për vdekje nga pasiguria totale në punë, për skllavërim të imponuar nga varfëria të fëmijëve të vegjël me trasta në mbledhjen e kromit. Prej vitesh nuk dëgjojmë më për situatën mesjetare në këtë zonë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se në miniera është vendosur një standard i ri, ndërsa për ata që vazhdojnë të kalojnë ditën e punës nëntokë, pagat janë ku e ku më të larta sesa lëmoshat e deridjeshme.
“Tanimë ka ardhur koha që ky identifikim i Bulqizës me vetëm minierat, kromin, sakrificën e atyre që kanë qëndruar këtu do të diversifikohet në identifikim edhe me mrekullitë e natyrës rreth e rrotull, përtej perimetrit të ngushtë të një qyteti të ndërtuar enkas për të mbështetur industrinë minerare të kohës së komunizmit”, tha Rama.
Fraksion.com