“Divizioni””, Rama: Pronat e ushtrisë do kthehen në burim të ardhurash për zonat. Ministria e Mbrojtjes departament të veçantë të administrimit
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot se parku tematik retro “Divizioni” do të jetë një motor i ri ekonomik për Bulqizën, e cila është identifikuar historikisht me minierat.
Gjatë prezantimit të këtij projekti, Rama u shpreh se ky përbën një model inovativ të zhvillimit të turizmit që do të transformojë një zonë të degraduar dikur ushtarake, në një destinacion të ri për turistët.
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Ministria e Mbrojtjes do të krijojë një departament të veçantë që do të merret me administrimin e pronave të ushtrisë e për t’i kthyer ato në burim të ardhurash për zonën dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Në fjalën e tij në prezantimit në Bulqizë të projektit për Parkun Tematik Retro, “Divizioni” një model inovativ i zhvillimit të turizmit që do të transformojë një zonë të degraduar dikur ushtarake, në një destinacion të ri për turistët, u shpreh se shteti nuk do të heqë dorë nga pronësia e këtyre pronave.
“Po hyjmë në një fazë të re të administrimit të pronave të ushtrisë, Ministria e Mbrojtjes po ngre një departament të veçantë të administrimit të tyre pa hequr dorë nga pronësia e shtetit, duke krijuar hapësira për partneritete të natyrave të ndryshme e duke i kthyer në çfarëdolloj rruge sipas projekteve këto asete të mbetura që vijojnë herë-herë të trajtohen si vendndodhje ushtarake ku nuk ka këmbë ushtari, në burim të ardhurash për zonën dhe Ministrinë e Mbrojtjes”, tha ai.
“Ky është një projekt shumë i veçantë në llojin e vetë, sepse jo vetëm do të bëjë transformimin e një territori që deri në fillim të viteve 2000 i përkiste ushtrisë shqiptare dhe që sot është një shëmbëlltyrë e degradimit, por do të krijojë një destinacion turistik të një lloji të veçantë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se FSHZH jo vetëm do të ndërtojë të gjithë këtë infrastrukturë në një sipërfaqe prej 10 ha, por edhe do të krijojë kushtet për të mikpritur në këtë infrastrukturë artizanët e zonës.
“Do të mikpresë gra të cilat sot janë shëmbëlltyra të përpjekjes për të jetuar me punë të ndershme përmes kultivimit të traditës ushqimore të kësaj zone, të traditës artizanale jo vetëm për sa i përket përgatitjes së produkteve karakteristike të zonës, por edhe të produkteve që janë kaq të rëndësishme për të ruajtur traditën”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, do t’i shërbejë promovimit të turizmit të zonës.
“Do të mikpresë po ashtu kjo hapësirë edhe ata që kultivojnë apo përpunojnë produkte, qoftë fermerët e tokave të punuara të zonës, qoftë edhe grumbulluesit e përpunuesit e bimëve mjekësore. Do të mikpresë po ashtu familjet, më të rinjtë, gjyshërit dhe fëmijët në të gjitha hapësirat rekreative. Patjetër, duke pasur edhe një strukturë hoteliere që FSHZH do ta menaxhojë së bashku me gratë e zonës, do të mikpresë udhëtarë vendas që kalojnë përmes kësaj zone, apo edhe turistë të huaj”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se numri i turistëve të huaj që vizitojnë zonën po rritet në mënyrë befasuese vit pas viti, në këtë qark kur deri dje, kur flisje për turizëm të shikonin të gjithë shtrembër, sikur po talleshe.
Fraksion.com