AktualitetPolitikëTë fundit

Delegacioni i Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të NATO-s: Politika e “dyerve të hapura”, mundësi në mbështetje të integrimit

Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, i përbërë nga Mimi Kodheli, Kryetare e Delegacionit, Xhemal Qefalia dhe Bardhyl Kollçaku, anëtarë, mori pjesë në sesionin e 70 vjetorit të kësaj Asambleje, i cili u mbajt në Montreal, Kanada, më 21-25 nëntor.

Mesazhi i qartë gjatë sesionit ishte thirrja për një Aleancë Transatlantike të angazhuar për mbrojtjen, sigurinë dhe promovimin e vlerave të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

Rreth 260 deputetë nga vendet anëtare dhe vendet partnere të NATO-s morën pjesë në punimet e këtij sesioni dhe diskutuan mbi çështje të rëndësishme si: Vazhdimi i mbështetjes së palëkundur të Aleatëve ndaj Ukrainës; mbështetja e transformimit të vazhdueshëm të NATO-s pas Samitit të Uashingtonit bazuar në vlerat e përbashkëta të aleancës; siguria në Ballkanin Perëndimor, rajonin e Detit të Zi dhe Arktik; ndryshimet klimatike dhe sfidat teknologjike etj.

Në sesionin plenar që u mbajt më datë 25 nëntor 2024, Asamblenë e përshëndeti Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudo, si dhe u shkëmbyen ide me Zëvendëssekretarin e Përgjithshëm të NATO, Boris Ruge e Kryetarin e Parlamentit të Ukrainës, Ruslan Stefanchuk. Asambleja, gjithashtu, miratoi pesë rezoluta: E ardhmja e Aleancës dhe mbështetja e Ukrainës deri në fitore; Forcimi i sistemit të Integruar të Mbrojtjes Ajrore dhe Raketore të NATO-s; Lufta ndaj dhunës seksuale të lidhur me konfliktet; Stimulimi i avancimit teknologjik për të mbështetur të sigurinë dhe prosperitetin e Aleancës; dhe Përdorimi i inteligjencës artificiale në fushën ushtarake.

Qëndrimi i delegacionit shqiptar, sidomos lidhur me Rajonin ishte i qartë- Pas thuajse 30 vite nga marrëveshja e Deayton Ballkani Perëndimor ka akoma nevojë për vëmendje dhe zbatimi i politikës së “dyerve të hapura” mund të ishte një mundësi më e madhe në mbështetje të proceseve integruese për vendet e Ballkanit që aspirojnë anëtarësimin në NATO.

Asambleja gjithashtu zgjodhi Presidentin e saj të ri, Marcos Perestrello de Vasconcelos dhe 5 zëvendëspresidentët e saj si dhe i akordoi çmimin “Gratë për Paqen dhe Sigurinë” Avril Haines, Drejtore e Shërbimit të Sigurisë Kombëtare të SHBA.

Fraksion.com