Bardhi: Protesta me leje, policia dhunë ndaj protestuesve
Opozita në protestën e saj mbajti sot të bllokuara 5 pika kyçe të lëvizjes në Tiranë, si Unaza e vogël, rrethrrotullimi i Zogut të Zi, ura afër xhamisë në Rrugën e Elbasanit, sheshi “Wilson” dhe nga Pallati me Shigjeta drejt Rrugës së Kavajës.
Nën moton “O sot o kurrë”, protestuesit kërkojnë qeveri teknike, si rruga drejt zgjedhjeve të lira, apo dhe largimin e kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi tha se megjithëse opozita ka kërkuar leje për zhvillimin e protestës, sërish u përball me dhunë nga efektivët e Policisë.
“Kur ne kishim kërkuar leje për protestë, dhe nuk është bllokuar trafiku për asnjë moment, përse duhet të ushtrohet dhunë ndaj protestuesve dhe të hidhet ujë me botë apo spraj lotsjellës. Policia nuk duhet të jetë këtu duke dhunuar protestuesit, por duhet të shkojë të arrestojë anëtarët e bandës së Elbasanit. Keni arrestuar vetëm 5 anëtarë nga 18 të shpallur në kërkim”, deklaroi Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka tha se nuk do të ndalet fryma e revoltës dhe mosbindjes civile.
“Nuk ndalet fryma e revoltës dhe mosbindjes civile e popullit shqiptar. Do bëjnë ata përpjekjet e tyre, por populli do i japë atë që meritojnë. Fundi i diktatorëve dihet. Këtë fund do kenë. Nuk mbahet kurrë pushteti me dhunë. Kurrë një popull nuk mbahet me dhunë”, deklaroi ai.
Fraksion.com