Balluku: Parku i madh turistik “Divizioni”, rivitalizim ekonomiko-social për qarkun Dibër
Zëvendëskryeministrja, dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, deklaroi se ndërtimi i parkut të madh turistik “Divizioni”, në Bulqizë do ta rivitalizojë ekonominë, turizmin dhe jetë social-shoqërore në të gjithë qarkun e Dibrës.
E pranishme në takimin e prezantimit të këtij projekti në Bulqizë, Balluku tha se sot merr jetë premtimi i kryeministrit Edi Rama për të investuar në këtë zonë me projekte dinjitoze që i shërbejnë zhvillimit ekonomik, turistik dhe historik të zonës.
Sipas saj, ky investim është një model inovativ i zhvillimit të turizmit që do të transformojë një zonë të degraduar, dikur ushtarake, në një destinacion të ri për vizitorët dhe turistët gjithnjë e më të shumtë të Veriut të Shqipërisë, e posaçërisht të qarkut Dibër, ku rruga e Arbrit ka sjellë një ndryshim të madh në shumë drejtime dhe ku me hapjen më në fund edhe të tunelit të Murrizit, Dibra do të bëhet përfundimisht jastëku i gjelbër i metropolit të Shqipërisë.
“Ky investim nuk ka të bëjë vetëm me nxitjen e turizmit të zonës, por do të integrojë aty edhe shumë grupe në nevojë, gra, vajza dhe djem, që për shkak të ngjarjeve që kanë ndodhur në minierë, do të shërbejë edhe si një vend promemorieje historike”, u shpreh Balluku.
Ajo tha se, projekti do të ndërhyjë në ndërtesat e braktisura, duke i kthyer ato në projekte turistike dhe vlera muzeale.
“Të gjitha ndërtesat që na rrethojnë, do të kthehen në një treg për nxitjen e ekonomisë lokale, do të kthehen këto ndërtesa në njësi shërbimesh që do të jenë pjesë e parkut të madh të argëtimit, që do të diversifikojë ofertën turistike edhe për qytetarët e Tiranës”, u shpreh Balluku.
Ministrja vuri në dukje se sot qarku Dibër është bërë tejet i frekuentuar nga vizitorët dhe turistët e huaj.
“Shifrat në rritje të turizmit ndihen dita-ditës. Është kënaqësi për mua, kur vij këtu dhe nuk është e lehtë të gjej një bujtinë në Peshkopi, pasi të thonë që i kemi të pronotuara që javë më parë. Kjo do të ndodhi edhe me Bulqizën, e cila do të kthehet në një pikë turistike si një lagje e bukur e Tiranës”, tha ajo.
“Divizioni” i rilindur do të ketë një destinacion turistik mikpritjeje, me treg turistik prodhimesh të zonës, hoteleri dhe shërbime, për ata që do të duan të ndalen kalimthi apo të qëndrojnë më gjatë në eksplorimin e natyrës magjike të kësaj zone.