AktualitetTë fundit

“Numër i madh gjyqtarësh dhe prokurorësh në hetim penal për korrupsion pasiv”, kreu i SPAK: Shqetësimi më i madh janë ata në detyrë

Kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë një aktiviteti të organizuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit mbi luftën kundër korrupsionit tha se një numër i madh gjyqtarësh dhe prokurorësh janë në hetim penal për “korrupsion pasiv”.

Në fund të muajit dhjetor, Dumani do të marrë gjithashtu kompetencat e Komisionerit Publik në KPA, duke zgjeruar përgjegjësitë e SPAK në monitorimin dhe hetimin e zyrtarëve të drejtësisë. Ai bëri të ditur se SPAK ka aplikuar ligjin anti-mafia për disa subjekte të shkarkuar nga detyra, përfshirë gjyqtarë dhe prokurorë.

“Në fund të muajit dhjetor drejtues i SPAK merr kompetencat e komisionerit publik në KPA. SPAK ka patur raste ku ka amplikuar ligjin anti mafia për subjektet e shkarkuar nga detyra (përfshi gjyqtarë e prokurorë). Materialet në procesin administrativ të vetingut i kemi përdorur si indicie për të gjetur provat në hetimin penal. Rezultatet e hetimit administrativ janë një bazë e mirë për të gjetur prova tek subjektet e shkarkuar nga vetingu.

Sipas tij, SPAK është i hapur për bashkëpunime në tema të caktuara që lidhen me korrupsionin, me qëllim përmirësimin e performancës së institucionit.

“Shoqëria civile është e ftuar të bashkëpunojë me SPAK për tematika të caktuara. Këto analiza i shërbejnë institucionit tonë për përmirësimin e performancës. Jemi të hapur për bashkëpunime të tilla”, tha Dumani.

 

Fraksion.com