Kosova po ndërton stacione të reja policore në veri
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi më 25 nëntor se është vendosur gurthemeli për ndërtimin e një nënstacioni policor në fshatin Izvor të Zveçanit, në veri të Kosovës.
“Në objektin e ri, që presim të ndërtohet shumë shpejt, do të shërbejë policia kufitare”, shkroi ai në Facebook.
Në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e këtij stacioni morën pjesë ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha.
Ndërkaq, sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, projekti për këtë nënstacion kap vlerën e rreth 700.000 eurove.
Kurti tha se javën e kaluar është vendosur edhe një gurthemel për stacionin e policisë mbi urën e lumit Bistrica, e cila ndodhet në rrugën kryesore që çon në kalimin kufitar të Jarinjës. Në këtë pikë ndodhen pjesëtarë të njësive speciale dhe të rregullta të Policia e Kosovës.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla më 23 nëntor, gjatë vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e stacionit në Bistricë, tha se ky “objekti i ri e modern do të jenë në shfrytëzim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët nga ky vend, po shërbejnë prej gati dy vjetësh në luftimin e çdo kriminaliteti, mbrojtjen e kufirit tonë e për sigurinë e përgjithshme të Republikës sonë”.
“Do të vazhdojmë pa u ndalur në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve tona për të përballur me sukses çdo sfidë që mund të na dalë përpara”, shtoi ai.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e komunitetit serb, që është shumicë në veri të Kosovës, kundërshtojnë ndërtimin e stacioneve policore ose bazave policore, me arsyetimin se ata janë të ekspozuar ndaj “presioneve dhe diskriminimit” nga ana e Policisë. Gjithashtu, sektori civil serb ka kërkuar kohët e fundit nga komuniteti ndërkombëtar që t’i kushtojë vëmendje ankesave të qytetarëve për sjelljen e Policisë së Kosovës, duke e cilësuar atë si “joprofesionale” dhe “të politizuar”.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, e ka vlerësuar ndërtimin e stacioneve të reja si “një mjet shtesë për shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”. Ai po ashtu ka deklaruar se autoritetet e Kosovës “kanë ndryshuar në mënyrë të dhunshme strukturën etnike të policisë” në veri të Kosovës, dhe ka potencuar se Marrëveshja e Brukselit parashikon që në këtë pjesë të dislokohen policë nga radhët e komunitetit serb.
Në fillim të nëntorit 2022, mbi 500 policë nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës dhanë dorëheqjen si pjesë e një aksioni kolektiv për t’u larguar nga institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave të makinave nga ato të lëshuara nga Serbia, në ato të Kosovës. Që nga ajo kohë, në veri të Kosovës janë ndodhur kriza të shumta, që kulmuan me një sulm të armatosur të një grupi të serbëve ndaj Policisë së Kosovës në shtator 2023, kur u vra një polic i Kosovës. Ndërkohë, në veri janë dërguar kryesisht policë nga komuniteti shqiptar, si dhe pjesëtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Gjithashtu, Qeveria e Kosovës në fund të majit të këtij viti mori vendimin përfundimtar për shpronësimin e mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe, Leposaviq dhe Zubin Potok, për ndërtimin e stacioneve dhe bazave të policisë.
Shtetet e QUINT-it – Shtetet e Bashkuara, Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar – së bashku me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Kosovë (OSBE), atëbotë kishin shprehur shqetësimin për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, duke shtuar se shpronësimi duhet të vlerësohet në kuadër të ligjshmërisë, të drejtave të njeriut dhe interesit publik, dhe jo në bazë të përkatësisë etnike të qytetarëve.
Çështja e shpronësimit në veri për ndërtimin e stacioneve të policisë ose bazave u përfshi dhe në raportin e përfaqësueses së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku përshkruhet si çështje e rëndësishme për sundimin e ligjit dhe që ka “pasoja të gjera politike”./REL
Fraksion.com