Çifti i pensionistëve italianë për ”Corriere della sera”: Pse zgjodhëm të jetojmë në Shqipëri
Çdo mëngjes, shtetasit italianë Antonio di Dio dhe Marcella Bosio zgjohen dhe bëjnë një shëtitje në rrugët e Shkodrës, shkruan Jacopo Storni për gazetën më të madhe italiane ”Corriere della sera”.
Pas shëtitjes së përditshme në rrugët e qytetit, ata ndalojnë te lokali ”Te Xhani”, në Gjuhadol.
Një kafe, një briosh, dhe biseda miqësore me miqtë e tyre, të ulur në lokal.
Dhe kështu ata e shijojnë jetën e tyre të re dhe të bukur në Shqipëri.
Çifti mbërrit këtu gati dy vjet më parë nga Gassino Torinese për një arsye shumë të thjeshtë: jetesa kushton më pak.
”Në Itali me pensionin tim 1 160 euro nuk do të kisha mundur të jetoja, por këtu jetoj në mënyrë dinjitoze”, thekson Antonio.
”Shembujt e çmimeve të lira janë të panumërta. Në Itali kam qenë i kujdesshëm për atë që kam blerë në supermarket, këtu mund të përballoj shumë produkte të tjera. Në Itali nuk kam shkuar kurrë me pushime, por këtu shkojmë në liqen, mal apo det, ku çadrat dhe shezlonët kushtojnë vetëm pesë euro”, theksoi ai.
”Në Itali kam kursyer edhe për të blerë rroba. Kam veshur pothuajse gjithmonë të njëjtat gjëra, por këtu mund të zgjedh. Në Itali kujdesesha të mos e mbushja serbatorin plot me benzinë se rrezikoja të mbetesha pa para’, por këtu nuk më mungon asgjë”, shton ai.
”Në Itali nuk kemi shkuar pothuajse kurrë në një restorant për darkë, por këtu mund ta përballojmë atë”, përfundon Antonio duke mos fshehur entuziazmin e përjetimit të aventurës së re këtu, në Shqipëri.
Pensioni në Itali nuk mjaftonte
”Këtu ndihem vërtet më i lumtur, që kur ndodhem në Shkodër kemi qenë shumë më të qetë. Në fakt, që kur jetoj në Shqipëri ndihem vërtet i rinuar. I punësuar për një jetë të tërë në një kompani transporti”, thekson ai.
Ky mendim për Antonion dhe gruan e tij Marcella erdhi në vitin 2021.
”Unë dola në pension, por ai nuk ishte i mjaftueshëm. Kështu filluam të shikonim përreth. Një nga alternativat ishte Portugalia, një tjetër Tunizia. Në fund zgjodhëm Shqipërinë”, shton ai.
350 euro qira
Në maj 2022 nisën një udhëtim, së pari nga Vlora të cilën e kishin njohur përmes disa miqve italianë.
”Por, e kuptuam se ishte një vend turistik dhe kështu u fokusuam në veri të Shqipërisë, sigurisht më pak të njohur nga turistët. Na tërhoqi menjëherë miqësia e njerëzve. Kërkimet për një shtëpi kanë nisur në nëntor, ku u akomoduam në bulevardin ‘Skënderbeu’, praktikisht ku jetojmë tani, në këtë vend shumë mikpritës”, thotë Antonio.
”Ne jetojmë në 70 metra katrorë dhe paguajmë vetëm 350 euro qira”, shton ai.
Ata kanë gjetur dimensionin e tyre, këtu në Shkodër. Nuk flasin ende shqip, por po e mësojnë pak nga pak. Dhe në muajt në vijim do t’u bashkohet edhe Luciana, nëna e Marcellës.
”Në të vërtetë Italia nuk më mungon aspak. Nëse e mendoj me kujdes, tani ndihem më shumë nga Shkodra sesa nga Torinoja”, thekson ai.
Fraksion.com