Rama: Mikpresim samitin e Komunitetit Politik Europian dhe atë të NATO-s në Tiranë
Kryeministri Edi Rama, gjatë takimit me shqiptarët e Britanisë së Madhe, u ndal tek arritjet e Shqipërisë në politikën e jashtme dhe konsolidimin e rolit të saj në sytë e ndërkombëtarëve.
“Të ishte për këta, Shqipëria nuk do të ulej dot kurrë si e barabartë nëpër tryezat dhe forumet më të larta ndërkombëtare. Të ishte për këta, Shqipëria nuk bëhej kurrë histori suksesi me rritjen më të madhe të turizmit në Europë. Të ishte për këta, Shqipëria nuk e priste dot kurrë të gjithë Europën në një samit, të parin e BE-së jashtë BE-së, në Tiranë. Të ishte për këta, Shqipëria nuk e kryesonte dot kurrë OSBE-në dhe as nuk ulej dot kurrë në tryezën e Këshillit të Sigurimit”, tha Rama, duke iu referuar partive të opozitës.
Kryeministri kujtoi se Shqipëria do të mikpresë vitin tjetër samitin e Komunitetit Politik Europian, i cili u zhvillua në Britani këtë vit.
“Siç erdhën në Londër udhëheqësit e të gjitha demokracive të kontinentit do të vijnë në Tiranë në gjysmën e parë të vitit të ardhshëm. Po kur thonë futëm Shqipërinë në NATO… Shqipërinë në NATO e futën SHBA, ndërkohë që samitin e NATO-s në Shqipëri do ta bëjmë të mundur ne, sepse e bën të mundur Shqipëria që ka fituar besim, respekt, reputacion ndërkombëtar”, tha Rama.
Kryeministri kujtoi se të gjithë liderët e NATO-s do të vijnë në Shqipëri në vitin 2027, ndërkohë që Shqipëria është një nga vendet më të reja të NATO-s dhe ka vende anëtare që akoma nuk e kanë mikpritur një samit.
Por, Rama theksoi se “askush nuk duhet të mendojë se Shqipëria është bërë bahçe me lule, se nuk është bërë”.
“Nuk po them se nuk ka probleme, se ka plot. Askush të mos mendojë se edhe në këtë luftë kundër korrupsionit nuk ka gjëra që nuk shkojnë, sepse ka, si në çdo sektor tjetër. Por ajo që kishim para një dekade ishte një Shqipëri e pafuqishme, e rraskapitur nga keqqeverisja dhe e parë me sy shtrembër nga e gjithë bota. Kjo që kemi sot është një Shqipëri që po rilind vit pas viti dhe është kthyer në një emër krenarie, që po fiton përditë një nam të mirë falë miliona e miliona njerëzve që vijnë e vizitojnë”, tha Rama.
Rama shprehu bindjen se ky ndryshim do të vazhdojë, ndërsa inkurajoi emigrantët të konsiderojnë investimet në vendlindje.
“Jam i bindur që në çdo lagje ku jetoni keni rreth e rrotull anglezë që ju thonë duam të shkojmë në Shqipëri për pushime. A imagjinohej kjo deri disa vite më parë? Kurrën e kurrës! Por ajo që mbase sot akoma nuk e imagjinoni, por ju inkurajoj ta besoni, është se ky ndryshim do të vazhdojë dhe do të sjellë edhe atë që të gjithë shqiptarët jashtë do ta dëshironin. Dëshira për t’u kthyer të mos jetë thjesht një dëshirë, por një shtysë e madhe, për të pasur dy shtëpi”, tha Rama.
“Le ta vazhdojmë së bashku këtë rrugë, të vetëdijshëm për të përpjetat, për gabimet, të metat dhe gjithçka na mungon dhe që duhet ta adresojmë me forcën e bashkuar të mendjes dhe zemrave. Ta ndajmë mendjen që flamurin e Skënderbeut dhe të Ismail Qemalit, flamurin e të gjithë atyre që i kujtojmë kur vijnë ditët e mëdha të festave, ta vëmë të gjithë çdo ditë në zemër dhe në mendje dhe të mos lejojmë askënd që ta uli përsëri poshtë, por së bashku ta ngremë dhe rreshtojmë në oborrin e shtëpisë së familjes së bashkuar europiane”, shtoi Rama.
Në përfundim, Kryeministri ndau edhe një mesazh personal me shqiptarët në këtë takim.
“Qysh se falë votës së shqiptarëve kam hyrë në zyrën e kryeministrit dhe deri ditën e fundit kur do të jem në atë zyrë, kurrë nuk do të tradhtoj askënd që më ka dhënë besimin. Nuk diskutohet që kam bërë edhe unë gabimet e mia dhe do bëj edhe unë gabime, të reja mundësisht, jo të vjetra, sepse nuk ka njeri të pagabueshëm, por të jeni të sigurt se as nuk kam bërë, as do të bëj deri ditën e fundit fajin që t’ju ha prapa shpine”, tha Rama.
Fraksion.com