Ekzekutimi i Eduart Reçit në Tiranë! Bien në pranga vëllezërit, njëri prej tyre oficer policie, çfarë u gjet në magazinën e lokalit të tyre
Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pas vrasjes së ndërtuesit Eduart Reçi në rrugën “Faik Konica” më 13 nëntor.
Dy vëllezër janë arrestuar për vrasjen e biznesmenit të ndërtimit Eduart Reçi pak ditë më parë pranë Rrugës së Elbasanit. Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç, oficer Policie dhe Florian Dukaj, 45 vjeç, të dy banues në Tiranë, janë të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim.
“Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 13.11.2024, ku në rrugën “Faik Konica”, u plagos me armë zjarri shtetasi E. R., i cili si pasojë e plagëve marra ndërroi jetë në spital.
Sekuestrohen prova materiale që shërbejnë për dokumentimin ligjor të ngjarjes.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor në drejtimin Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ju informojmë se:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Shkëlqim Dukaj, 48 vjeç, (oficer Policie) dhe Florian Dukaj , 45 vjeç, (vëllezër),të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 e 25 dhe 278/1/4 të Kodit Penal.
Në zbatim të vendimit të Gjykatës, më datë 23.11.2024 është ushtruar kontroll në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.
Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi Eduart Reçi, po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).
Ndër personat me të cilët shtetasi Eduart Reçi, kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit Florian Dukaj dhe Shkëlqim Dukaj”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Fraksion.com