AktualitetPolitikëTë fundit

Tabaku: Pensionistët nuk janë një grup për vota, por qytetarë që meritojnë respekt

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka kritikuar qeverinë për trajtimin e pensionistëve, duke e cilësuar bonusin e paraqitur nga qeveria si një propagandë të pastër zgjedhore.

Në një video të postuar në rrjetet e saj sociale, Tabaku thekson se shpërblimi i fundvitit i ofruar nga qeveria nuk mund të mbulojë gjynahet e 11 viteve të neglizhencës dhe mungesës së respektit ndaj këtij grupi shoqëror.

“Lëmoshë e vogël, propagandë e madhe! A mund të harrohet rënia reale e pensioneve dhe fuqisë blerëse të pensionistëve përmes një shpërblimi të vogël në fundvit, vetëm sepse është periudhë zgjedhore? ” – pyeti Tabaku, duke nënvizuar se pensionistët shqiptarë përballen me pensionet më të ulëta në rajon dhe janë më të goditurit nga rritja e çmimeve.

Sipas saj, pensionistët shqiptarë shpenzojnë deri në 50% të të ardhurave për ushqime, ndërsa qeveria ka dështuar të ndërmarrë masa konkrete për të përmirësuar jetesën e tyre.

“Ekonomia shqiptare nuk punon për 95% të shqiptarëve, por për një pakicë që përfiton në kurriz të tyre,” tha Tabaku, duke akuzuar qeverinë për mosindeksimin e pensioneve në përputhje me rritjen e çmimeve dhe dështimin e reformës së pensioneve.

Tabaku shtoi se për të ndryshuar këtë realitet, duhet të mendohet për një sistem të ri që vendos dinjitetin dhe vlerësimin e punës së pensionistëve në qendër. Ajo propozoi që fondet e pensioneve të përdoren për të garantuar pensione dinjitoze, jo për shpërblime të përkohshme dhe elektorale.

“Pensionistët nuk janë një grup për vota, por qytetarë që meritojnë respekt dhe shpërblimin më të lartë për kontributin e tyre në ndërtimin e Shqipërisë, ” përfundoi ajo.

 

Fraksion.com