Koçiu: Vajzat 13 vjeç duhet të kryejnë vaksinën ndaj HPV-së, mbi 9 mijë doza të aplikuara
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Albana Koçiu deklaron se mosha 13 vjeç është mosha kur të gjitha vajzat duhet t’i nënshtrohen vaksinimit kundër HPV-së, një vaksinë që parandalon kancerin e qafës së mitrës dhe ofrohet falas në qendrat shëndetësore.
Ministrja Koçiu ishte sot në Qendrën Shëndetësore nr.9, ku vajza e saj Niki bëri vaksinën kundër HPV-së.
“Ndaj sot, së bashku me doktoreshë Besën ishim në Qendrën Shëndetësore nr. 9 ku Niki bëri vaksinën kundër HPV, si një hap i rëndësishëm për shëndetin”-, u shpreh ministrja në një postim në rrjetet sociale.
Sipas ministres, gjatë këtij viti janë aplikuar mbi 9,344 doza vaksinash për vajzat 13-20 vjeçe, ndërsa mbulesa vaksinale për vajzat 13-vjeçare ka arritur një nivel të lartë prej 75.6%.
“Vaksina është falas dhe jetike për parandalimin e kësaj sëmundjeje të rrezikshme”- nënvizon ministrja.
Fraksion.com