“Dyndje masive në Tiranë”, Protesta e 26 nëntorit, Berisha: Ky është një hap i vonuar, mos guxoni të prekni protestuesit e zemëruar
Në mbledhjen e drejtuesve politikë të PD-së, Sali Berisha ka folu5r për protestën e 26 nëntorit, ose siç e quan ndryshe mosbindja civile.
Ai bëri thirrje, se në protestën që do të mbahet në orën 17:00, Tirana duhet të jetë në duart e qytetarëve. Ndër të tjera, Berisha tha se protestuesit nuk duhet të preken.
“Kjo mbledhje e thirrur me urgjencë lidhet me protestën, me marshimin në Tiranë të qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë me datën 26 nëntor, ora 5. Koha në të cilën thirret jo protesta, por mosbindja civile, është e shkurtër.
Por, revolta, zemërimi i qytetarëve ndaj qeverisë rritet me shpejtësi progresive nga java në javë. Zemërimi ndaj saj është i pandalshëm. Në këtë kuadër mund të themi se protesta e datës 26 nëntor është një hap i vonuar.
Ndaj dhe kërkoj nga ju, nga kryetarët e degëve, kryesitë e degëve, anëtarët e kryesive, kryetarët e grupseksioneve, anëtarët e grupseksioneve dhe mbështetësit tanë, një mobilizim të jashtëzakonshëm në mënyrë që Tirana me datë 26 të jetë e tëra në duart e qytetarëve dhe jo të qeverisë.
Asgjë nuk ka më të pamëshirë se kohën dhe këtë duhet ta kemi të qartë secili nga ne. Kjo narkoqeveri nuk meriton asnjë minutë kohë të vetme. Sulmi dhe vetëm sulmi duhet të jenë qëndrimet tona. Mosbindja civile e ditës së martë, marshimi në Tiranë, duhet të jetë një triumf i vërtetë i revoltës, i zemërimit, i shpirtit të pamposhtur të qytetarëve në kryeqytetin e tyre.
Ndaj dhe, të nderuar drejtues politikë të qarqeve, duhet marrë çdo masë për një dyndje masive të opozitarëve në Tiranë.
Duhet të marrim çdo masë për të dëshmuar përpara shqiptarëve se ne jemi shumica, dhe jo vetëm shumica politike, por edhe shumica numerike dhe se narkodiktatura nuk ka të ardhme. Por unë jam këtu për të paralajmëruar, mos guxoni të prekni protestuesit e zemëruar“, tha Berisha.
Fraksion.com