AktualitetPolitikëTë fundit

Vengu, takim në Departamentin e Shtetit: Kompleksi portual Durrës-Porto Romano, strategjik

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Departamentin e Shtetit, Washington D.C. u takua me Stanley Brown, Asistent Sekretar i Shtetit për çështjet politiko-ushtarake.

Vengu bëri të ditur se gjatë takimit i prezantoi zyrtarit të lartë të DASH, prioritetet e qeverisë shqiptare që lidhen me modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve, rijetësimin e industrisë ushtarake vendase, si dhe zhvillimin e projekteve infrastrukturore.

“U fokusuam te investimet përgjatë Korridorit VIII dhe mundësitë strategjike e operacionale që ofron kompleksi portual Durrës-Porto Romano në logjistikë dhe lehtësimin e lëvizshmërisë së trupave aleate në Europën Juglindore”, theksoi ai më tej.

Ministri tha se instrumentet financiare të SHBA-ve, për të cilat po negociohet dhe parashikohet të materializohen muajt në vijim, do të hapin një kapitull tjetër strategjik me aleatët amerikanë.

“Në këtë takim u vlerësua gjithashtu roli i qenësishëm që Shqipëria luan në sigurinë dhe stabilitetin rajonal dhe atë Euro-Atlantik, si edhe mbështetja e vendit tonë ndaj popullit afgan në të kaluarën dhe atij ukrainas që prej fillimit të agresionit rus”, tha Vengu.

Fraksion.com