AktualitetTë fundit

Personi misterioz në masakrën e Dobraçit, flasin policët: Nuk e kemi njohur. Në vendngjarje ishte kaos

Katër policët Blerim Kurmekaj, Viktor Logu, Julian Sterkaj dhe Marta Martini u pezulluan nga detyra dhe u lanë në detyrim paraqitje nga gjykata në lidhje me masakrën e Dobraçit. Ata dyshohen për shpërdorim detyre pasi nuk kanë respektuar procedurën standarde të sigurimit të vendit të ngjarjes si dhe nuk kanë identifikuar personat e gjetur në vendin e ngjarjes.

Gazetarja Emi Kalaja ka mundur të zbulojë dëshminë që policët kanë dhënë në gjykatë. Ata pretendojnë se fillimisht kanë marrë një njoftim sikur ishte aksident rrugor dhe prandaj janë nisur atje. Kur kanë mbërritur, thonë se kanë respektuar procedurat standarde.

Ata thonë se nuk kanë patur asnjë dijeni nëse është Ibrahim Lici apo dikush tjetër sepse nuk e njohin atë. Sipas tyre në atë moment prioritet ka qenë rrethimi i vendngjarjes sepse ishte kaos dhe dhënia ndihmë të plagosurve që ishin ende gjallë.

Kujtojmë se prej kësaj ngjarjeje ndërruan jetë Hamza Lici e Arlind Bushati të cilët ndodheshin në makinën që ishte “objektiv” i autorëve, e po ashtu çifti i bashkëshortëve Bashkim e Flutura Basha. Këta të fundit u ndodhën krejtësisht pa faj në momentin e atentatit. Policia po vijon kërkimet për një person të tretë i cili shfaqet në disa video pas atentatit. Dyshimet janë se bëhet fjalë për të shumëkërkuarin Ibrahim Lici, por deri më tani policia nuk ka arritur ta identifikojnë se kush është ai.

Fraksion.com