Rama: Ka ende shpresë që gjuha shqipe t’i mbijetojë barbarisë së këtij shekulli
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, ka ende shpresë që gjuha shqipe t’i mbijetojë barbarisë së këtij shekulli.
Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar për gjuhën shqipe, “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI” Rama falënderoi të gjithë ata që u angazhuan në organizmin dhe realizimin e konkursit të madh të gjuhës shqipe për nxënësit.
“Ky është një falënderim që lidhet me një ndjesi befasie që unë personalisht përjetova nga niveli i konkursit dhe nga fakti që duke parë të gjithë ata nxënës të konkurrojnë në këtë lëndë jo të lehtë, aq më tepër kur ata jetojnë në kushtet e një presioni të llahtarshëm kundër gjuhës shqipe, kundër drejtshkrimit të gjuhës shqipe, kundër artikulimit të kujdesshëm të gjuhës shqipe si rezultat i rrjeteve sociale, iu them sinqerisht se mendova që ka ende shpresë”.
“Ka ende shpresë që gjuha shqipe t’i mbijetojë barbarisë së këtij shekulli, e cila kërcënon gjerësisht gjuhët në tërësi dhe kërcënon gjerësisht rrënjët, vetë rrënjët e njerëzimit në përgjithësi”, tha Rama.
“Në vitin 1972 dhe për ta lidhur me nxënësit, unë asokohe isha në klasën e dytë filore, Eqerem Ccabej ka publikuar një ese mbi origjinën e fjalës Shqipëri dhe për të gjithë ata që e njohin është një ese e gjatë që nis nga hartat antike të Aleksandrisë. Janë të parat që vendosin Albanoin dhe Albanopolisin e lartë në hartë dhe përfundon me Manastirin. Po aty në atë ese Çabeji shkruan, Shqipëria ka pasur shumë emra, por gjuha ka qenë gjithmonë një. Përsa i takon emrit shqip, shqiptar, Shqipëri, Shqipni, ky emër, shkruan Çabeji mbetet me gurë të dyshimtë. Mendime ka që të ketë dalë nga emri i shqipes, duke e pasur pra shqiptarët emrin e tyre prek këtij shpendi qysh në kohën e Skënderbeut. Duke e vënë në lidhje me anën tjetër këtë emërtim me fjalën e Plutarkut, që Pirroja pas fitores që korri mbi makedonët u kremtua me epitetin shqiponjë”, tha Rama.
E megjithatë, shtoi Kryeministri, “ne nuk kemi munguar asnjëherë që të kontestojmë deri dhe Çabejin e madh në kërkim të nxjerrjes prej së shkuarës të një lavdie që në fakt për hir të së vërtetës do të na mjaftonte ta kërkonim dhe ta mbanin fort tek e vërteta dhe jo tek fantazitë dhe deliret e të sotmes”.
Fraksion.com