AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Osmani: Rrezikimi i aleancave cenon vet Kosovën

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha të enjten se aleancat mes shteteve janë më të mëdha e më të rëndësishme se cilido politikan apo një palë zgjedhjesh dhe se rrezikimi dhe cenimi i tyre, cenon vet Kosovën.

“Aleancat janë këtu për të na mbrojtur prandaj vënia në rrezik e tyre, luajtja bixhoz me to apo cenimi i tyre e cenon vet mbrojtjen e Republikës tonë”, tha ajo, në një referencë të qartë të mospajtimeve me qasjen e qeverisë së Kosovës ndaj aleatëve perëndimorë, të cilët e kanë kritikuar Prishtinën për mungesë bashkërendimi, posaçërisht në veprimet e saj në veriun e Kosovës.

Presidentja Osmani gjatë fjalimit vjetor në Parlamentin e Kosovës, vuri theksin te ruajtja e marrëdhënieve me aleatët e Kosovës dhe procesi i bisedimeve me Serbinë.

“Rëndësia e ruajtjes së aleancave është e paçmueshme. Historia politike na mëson se dobësimi i aleancave ose partneriteteve është një gabim strategjik. Të punosh bashkë me ata që na ndihmuan që ta kemi lirinë e shtetit, asnjëherë nuk është nënshtrim e shantazhim”, tha ajo.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian disa herë kanë tërhequr vërejtjen se veprimet e autoriteteve të Kosovës në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe, kanë ndikuar në cilësinë e partneritetit dhe kanë paralajmëruar Prishtinën se mospajtimet pengojnë angazhimin e tyre për të ndihmuar përparimin e Kosovës drejt integrimeve euro-atlantike.

“Shihni deklarimet e liderëve të superfuqive botërore, do të shihni qindra deklarata e fjalime se çdo sfidë angazhohen që ta kapërcejnë bashkë me aleatët sepse nuk mund të ja dalin të vetëm. Prandaj, asnjëherë nuk e kam kuptuar e as mirëkuptuar as talljet që bëhen në llogari të aleatëve as sulmet ndaj tyre e as keqpërdorimi e emrave të tyre për të përfituar pushtet. Asnjëra dhe as tjetra nuk i bën nder Kosovës përkundrazi duhet shumë punë e shumë angazhim për mirëmbajtjen e aleancave, partneriteteve bazuar në parime dhe vlera. Vetëm kjo rrugë mund t’i çojë interesat e Kosovës përpara”, tha ajo.

Presidentja Osmani tha ndërkaq se dialogu me Serbinë i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, ka qenë jo i baraspeshuar dhe me një trajtim të padrejtë të Kosovës.

“Fakti që në tavolinën e dialogut shteti që krijoi agresion ndaj Kosovës pra Serbia nuk është nën masa kurse viktima e këtij agresioni, pra Kosova është nën masa, është dëshmia më e qartë e kësaj mungese balanci. Prandaj është e domosdoshme të ketë reflektim rreth kësaj qasjeje nga të gjithë ata që vërtetë duan paqe e stabilitet në rajonin tonë. Por, kjo do të thotë se edhe ne të vetreflektojmë për rrugën e deritanishme dhe të mendojmë se si mund t’i bëjmë gjërat edhe më mirë”, tha ajo.

Fjalimi i presidentes Osmani, nuk u ndoq nga depuetët e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, të cilët thonë se presidentja është duke i shërbyer agjendës politike të qeverisë dhe se ka dështuar të shërbejë si përfaqësuese e unitetit të popullit.

*Së shpejti me gjerësisht….

 

Fraksion.com