“Institucionet e papërgjegjshme vrasin”, protesta për vrasjen e 14-vjeçarit: Shteti të marrë përgjegjësinë për atë që nuk mundi!
Një marshim protestë mblodhi sot prindër dhe të rinj duke kërkuar drejtësi për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani, tre ditë më parë jashtë ambienteve të shkollës “Fan Noli” në Tiranë nga një bashkëmoshatar i tij.
Me një pankartë të madhe në dore ku shkruhej “Institucionet e papërgjegjshme vrasin” protestuesit marshuan nga shkolla “Fan Noli” drejt Ministrisë së Arsimit, ku kërkuan edhe dorëheqjen e ministres Ogerta Manastirliu.
Një prej qytetarëve pjesëmarrës në protestë tha se “të mos humbasin asnjë minutë kohë që paratë që ka ky vend të mos shkojnë atje ku pasurojnë disa vetë, por që fëmijët të qëndrojnë në shkollë, të arsimohen të zhvillojnë jetën e tyre sociale, në sporte dhe art”.
Një vajzë e re tha se “kjo vrasje ka autor që duhet të mbajë përgjegjësi. Të gjitha institucionet duhet të mbajnë përgjegjësi”.
“Duhet zgjidhje me racionale për t’i bërë ballë platformave sociale, pasi jetojmë në epokë digjitale”, tha një tjetër qytetare.
Ndërsa një tjetër vajzë tha se “kjo ngjarje e rëndë mund të ishte parandaluar, jo vetëm shkolla duhet të marrë masa më të forta e më vigjilente ndaj këtyre rasteve. Përgjegjësia nis nga shkolla dhe institucionet e tjera”.
“Shteti të marrë përgjegjësinë për atë që nuk mundi. Ku ishte ambulanca, ku ishte policia? Po të merren masa dhe për rrjetet sociale. Unë jam mësuese vetë në një shkollë private, jam dakord që raportimi i çdo konflikti duhet të përcillet tek prindërit”, tha një mësuese pjesë e marshimit.
Protestuesit kanë lyer duart me bojë të kuqe dhe i kanë vendosur në kolonat prej hekuri pranë godinës së ministrisë së Arsimit.
Në 18 tetor në afërsi të shkollës “Fan Noli”, një 14-vjeçar për motive të dobëta është konfliktuar me dy bashkëmoshatarët e tij dhe gjatë konfliktit i ka goditur ato me mjet prerës. Gjatë konfliktit janë dëmtuar të 3 të miturit. Si pasojë e plagëve të marra një nga 14-vjeçarët, Martin Cani ka ndërruar jetë në spital.