AktualitetTë fundit

Vrau 14-vjeçarin pranë shkollës “Fan Noli”, nuk tregon ku fshehu armën e krimit

Thika me të cilën u vra 14-vjeçari Martin Cani nga një bashkëmoshatar i tij të hënën e 18 tetorit ende nuk është sekuestruar nga grupi hetimor. Autori i vrasjes, tashmë i arrestuar, nuk ka pranuar që të tregojë para grupit hetimor se ku e ka fshehur armën e krimit me të cilën goditi Canin dhe shokun e tij, ndërsa mbeti edhe vetë i plagosur pranë shkollës ‘Fan Noli’ në Tiranë. Para grupit hetimor ai ka thënë se thikën nuk e ka pasur me vete brenda ambienteve të shkollës, por e kishte fshehur diku aty afër. Gjithsesi hetimet në këtë drejtim vijojnë.

Ndërkohë,është zbardhur edhe dëshmia e autorit 14-vjeçar para grupit hetimor, i cili është pyetur në prani të psikologëve siç e parashikon ligji. 14-vjeçari ka treguar që sherri me Martin Canin kishte nisur që ditën e premte, 15 nëntor. Sipas pretendimit të tij, gjithçka ka nisur se Cani “po e shihte” dhe kështu mes tyre kishte nisur një debat që të miturit e kishin lënë për “ta sqaruar”. I pyetur nëse është penduar, ai nuk ka pranuar të flasë.

Në dëshmi, 14-vjeçari ka pohuar se me Canin është zënë edhe të hënën e 18 nëntorit kur ndodhi edhe vrasja. Burimet i thanë Report Tv se dy të miturit të hënën janë zënë brenda ambienteve të shkollës dhe ky episod i sherrit verbal kishte rënë edhe në sytë e oficeres së sigurisë, por djemtë janë shprehur para saj se e zgjidhën pasi e gjitha ishte një keqkuptim.

“Jemi zënë të premten sepse po më shikonte. E kishin lënë për t’u sqaruar. Pastaj jemi zënë sërish të hënën. Ai lajmëroi shokët si dhe unë shokët e mi. Gjatë përleshjes ndodhi ajo që ndodhi”, ka thënë ai.

Gjithçka është mbyllur aty për aty pa u bërë e madhe dhe pa thërritur në shkollë prindërit e të miturve të përfshirë në debat. Sipas dëshmisë së autorit, të dy kanë lajmëruar shokët dhe pas mësimi ka nisur edhe përleshja me grushte, në një rrugicë qorre vetëm 200 metra larg shkollës.

Cani thirri shokun e tij që luanin së bashku në skuadrën e U-15 me Dinamon, i cili ishte nxënës i shkollës “Mustafa Qemal Ataturku” në Sauk. Edhe ai, futbollist, mbeti plagosur ndërkohë që edhe autori kishte marrë në ndihmë një shok të tij, nxënës i shkollës Fan Noli, por deri më tani ai nuk del i implikuar në ngjarje pasi roli i tij ka qenë vetëm për të ndarë palët.

Autori bashkëmoshatar, mori gjithashtu një plagë aksidentale në parakrah gjatë përleshjes. U largua me vrap drejt pazarit të ri, derisa të njohur të tij e çuan një makinë në një spital privat për mjekim. I mituri u arrestua në ambientet e spitalit për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje. Në rrjetet sociale reklamonte me trimëri edhe thikën me të cilën i mori jetën bashkëmoshatarit. Ndërkohë, Cani ndërroi jetë në spitalin e Traumës dhe një ditë më parë u përcoll për në banesën e fundit.

 

Fraksion.com