AktualitetTë fundit

Moti i keq pritet të “pushtojë” vendin, kush janë qarqet që rrezikohen

Mot me reshje të dendura pritet gjatë ditëve në vijim, kryesisht në veri të vendit.

Bazuar në informacionin e dërguar nga Qendra e Koordinimit të Emergjencave Civile në Bruksel, Instituti i Gjeoshkencave dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak, të premten, më 22 nëntor, priten reshje “intensive” deri “shumë intensive” në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Tiranë dhe Elbasan.

Në qarqet e tjera priten reshje mesatare, të cilat lokalisht mund të arrijnë deri në nivelin “intensive”.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka kërkuar rritjen e gatishmërisë së strukturave të sistemit të Mbrojtjes Civile, si dhe të institucioneve që administrojnë hidrovoret, rezervuarët, infrastrukturën rrugore, furnizimin me energji elektrike, furnizimin me ujë, monitorimin e nivelit të lumenjve dhe çdo strukturë tjetër në funksion të menaxhimit të emergjencave civile.

AKMC u bën thirrje prefekturave dhe bashkive të mobilizojnë strukturat për menaxhimin e emergjencave civile dhe të monitorojnë situatën në zonat me rrezik më të lartë.

 

Fraksion.com