AktualitetPolitikëTë fundit

Ministeriali i Nismës së Evropës Qendrore në Tiranë, Hasani: Presidencë e suksesshme e Shqipërisë, bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal

Ministri për Evropën dhe Punët e jashtme, Igli Hasani deklaroi sot se, Shqipëria është e angazhuar që të vazhdojë të hapë kapituj të rinj me Bashkimin Evropian deri në fund të këtij viti dhe po kështu edhe në vitin e ardhshëm.

Në fjalën hapëse të takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Nismës së Evropës Qendrore (CEI), që po mbahet në Tiranë, në kuadër të presidencës shqiptare të kësaj nisme, Hasani vlerësoi bashkëpunimin që i është dhënë Shqipërisë nga të gjithë shtetet anëtare për të përmbushur detyrimet gjatë këtij mandati të rëndësishëm.

“Këtë vit Shqipëria ka pasur privilegjin të marrë një sërë presidencash të rëndësishme rajonale, të Nismës së Evropës Qendrore, të Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, gjithashtu të Procesit të Bashkëpunimit për Evropën-Juglindore, të Nismës për Migracionin, Azilin dhe Refugjatët, po kështu edhe karta të ndryshme. Gjithashtu jemi mbledhur edhe në formate të ndryshme, përfshi mëngjese të pafundme pune në Nju Jork me ministrat përreth kësaj tryeze duke shijuar shoqërinë e njëri-tjetrit”, tha Hasani.

Ai u shpreh se, Shqipëria ka pasur një Presidencë të suksesshme të BSEC (Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi), ku kemi konfirmuar në fakt bashkëpunimin tonë në të gjitha format”.

Hasani u shpreh se, “këto presidenca nuk janë vetëm reflektim i vullnetit shqiptar për t’u angazhuar në lidership dhe për t’u përballur në shumë prej çështjeve, të cilat hasim, por gjithashtu edhe besimin e patundur në fuqinë e bashkëpunimit për t’u përballur me sfidat e përbashkëta për të kapur mundësitë e reja”.

Ai theksoi se, objektivat dhe përparësitë e Shqipërisë janë të përputhura me mandatin thelbësor të kësaj nisme.

“Në thelb të qasjes sonë është angazhimi për të nxitur marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, për të nxitur bashkëpunim gjithëpërfshirës rajonal e më së fundi për të çuar përpara një vizion të një Evrope të paqtë, të fortë dhe të qëndrueshme. Këtu Shqipëria në fakt mbetet e palëkundur në mbështetjen për Ukrainën, sidomos në dritën e agresionit në vazhdimësi rus dhe do të vazhdojmë të mbështesim sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës, si edhe aspiratat evropiane të saj”, tha Hasani.

Ai gjithashtu komplimentoi edhe ekipin e Ukrainës në futboll për fitoren e djeshme.

“Patëm kënaqësi që të prisnim dje edhe ekipin ukrainas të futbollit dhe në fakt jam shumë i lumtur që ju ecët përpara”, tha Hasani.

“Vizioni ynë rajonal shtrihet përtej sfidave aktuale tha ai, jemi të përqendruar të eksplorojmë rrugë të reja rritjeje duke rritur ndërlidhshmërinë, duke trajtuar sfidat që shfaqen dhe që na prekin të gjithëve”.

“E perceptojmë këtë nismë, jo vetëm si një platformë të vlefshme rajonale bashkëpunimi, por edhe si lehtësues të besueshëm të procesit të integrimit evropian”, tha Hasani.

Kryediplomati shtoi se, nisma bën bashkë shtete anëtare të BE-së, por edhe shtete kandidate të BE-së, duke ofruar një hapësirë unike për dialog, për shkëmbime të praktikave më të mira dhe të ndërsjellë.

Ai nënvizoi se, “gjatë Presidencës së Shqipërisë kemi inkurajuar në mënyrë aktive anëtarët e CEI, për të përfituar maksimalisht nga sinergjitë, duke forcuar lidhjet dhe duke nxitur bashkëpunimin që na sjell të mira të gjithëve”.

“Një prej përparësive të Shqipërisë në krye të CEI, tha Hasani, ka qenë të çojë përpara integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria ka hedhur hapa në rrugën e saj drejt anëtarësimit. Në tetor çeli me sukses grup-kapitullin e parë të negociatave që mbulon çështjet thelbësore dhe përfshin po kështu edhe 5 kapituj në piketat që duhet të ndjekë, duke u bashkua, apo duke ndjekur malin e Zi dhe duke qenë vendi i tretë në Ballkanin Perëndimor që hap grup-kapituj dhe jemi të angazhuar që të vazhdojmë në këtë rrugë, për të hapur kapituj të rinj deri në fund të këtij viti dhe po kështu edhe në vitin e ardhshëm”, tha Hasani, duke uruar që edhe me vendet e tjera të rajonit të vazhdojnë në këtë drejtim.

“Mirëpresim me ngrohtësi vendimin e Këshillit Evropian për të çelur bisedimet e anëtarësimit për Ukrainën, Bosnjë-Hercegovinën dhe Moldavinë. Besojmë fort që këto vendime përçojnë një sinjal të fortë për angazhimin e Evropës ndaj fqinjëve të saj. Mbështetja jonë kolektive për integrimin evropian për Ballkanin Perëndimor mbetet një element thelbësor për të siguruar besueshmërinë  procesit të zgjerimit dhe për të ruajtur këtë mbështetje popullore në rajon”, u shpreh Hasani.

Ministri theksoi se, duhet të punojmë së bashku për të parandaluar lodhjen nga zgjerimi dhe të sigurojmë që procesi i zgjerimit të mbetet në drejtimin e duhur e gjithëpërfshirës për të gjitha vendet kandidate.

“Suksesi i këtij procesi është thelbësor për stabilitetin dhe prosperitetin e ardhshëm të rajonit tonë. Është thelbësore që ne të vazhdojmë të forcojmë kohezionin tonë si vende të Evropës Qendrore e të mbetemi të palëkundur në angazhimin tonë për t’u bërë pjesë përbërëse e familjes më të madhe evropiane”, tha Hasani.

Hasani gjithashtu theksoi se, përballë sfidave gjeopolitike Shqipëria ka qenë avokate e fortë për paqe dhe stabilitet.

“Kemi dënuar fort luftën e paprovokuar e të paligjshme të Rusisë kundër Ukrainës. Ukraina është një anëtare e rëndësishme e CEI dhe ne kemi punuar krah partnerëve tanë për të mbështetur përpjekjet e Ukrainës për tejkaluar pasojat shkatërrimtare të kësaj lufte”, tha ai.

“Presidenca shqiptare, shtoi Hasani, është angazhuar në mënyrë aktive, jo vetëm për të promovuar përkujtimin e dy vjetorit të kësaj lufte, që u diskutua në fakt së pari në takimin e koordinatorëve kombëtarë të CEI në shkurt 2024, por do të vazhdojmë edhe të qëndrojmë krah Ukrainës, duke ofruar mbështetje përmes fondit të bashkëpunimit të CEI, që është një tjetër nisëm e cila synon të lehtësojë ndikimin e këtij agresioni”, tha Hasani.

Ai shtoi se përtej peizazhit gjeopolitik, Presidenca shqiptare është përqendruar në masa praktike për të forcuar bashkëpunimin rajonal.

“Kemi vendosur një theks të veçantë për të  rritur kontaktet midis njerëzve, duke nxitur shkëmbimet akademike profesionale dhe duke promovuar bashkëpunimin në sektorë si kultura transporti, turizmi dhe patjetër ekonomia”, tha Hasani

Ai solli shembullin e aktivitet në Vlorë që bëri bashkë ekspertë dhe nëpunës civilë nga CEI dhe nga anëtarë të programit të bashkëpunimit të  Evropës Juglindore për të diskutuar ndërlidhshmërinë e qëndrueshme ndërkufitare, gjithashtu edhe logjistikën efikase në rajon.

“Rezultati i këtyre aktiviteteve dëshmon rëndësinë e vazhdimësisë së dialogut për ndërlidhshmërinë që është thelbësor për të transformuar rajonin në një rajon modern të integruar e konkurrues, pjesë e Evropës”, tha Hasani.

Ministri u shpreh se, “më tej kemi punuar për të çuar përpara dialogun parlamentar, bashkëpunimin rajonal përmes platformave të mirë vendosura, përfshi takimin e ministrave të jashtëm ,konventave parlamentare, koordinatorëve kombëtarë, po kështu edhe aktiviteteve të tjera”.

“Forcimi i këtyre platformave është jetike për të ruajtur këtë ritëm në rajon dhe për të ruajtur natyrisht këtë ritëm në rrugëtimin e integrimit evropian dhe për të siguruar edhe efektivitetin e vazhdueshëm të CEI si lehtësues i bashkëpunimit rajonal”, u shpreh ai.

Hasani theksoi se, “Presidenca shqiptare e CEI ka përfunduar me sukses të gjitha detyrimet e saj dhe jam krenar për arritjet domethënëse që kemi arritur”.

Ky sukses ka qenë rezultat i përpjekjes kolektive të të gjithëve ne, tha Hasani, teksa përcolli urimet më të mira për Serbinë ndërkohë që përgatitet të marrë Presidencën e radhës të CEI.

“Shqipëria do të mbetet një anëtar i angazhuar dhe proaktiv i kësaj platforme dhe i përkushtuar të çojë përpara objektivat e nismës dhe po kështu të kontribuojë për një Evropë të qëndrueshme, të begatë”, tha Hasani.

 

Fraksion.com