AktualitetTë fundit

Meta letër publike, bën thirrje: Protesta periodike para SPAK, denonconi të gjitha manipulimet

Një ditë pasi Apeli i GJKKO-së la në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj ish-Presidentit të Republikës, i cili po hetohet për korrupsion dhe fshehja pasurie, Ilir Meta i është drejtuar me një thirrje anëtarëve të Partisë së Lirisë dhe atyre që i quan si shqiptarët patriotë, që të nisin protestat paqësore para godinës së SPAK.

“Të nisin protestat paqësore periodike para SPAK për të denoncuar të gjitha manipulimet skandaloze të tyre në dosjen kundër meje dhe për të denoncuar aferat skandaloze të Edi Rames që SPAK nuk i heton”, thuhet në mesazhin e Metës, që u bë publik nga Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi.

Në letrën e tij nga qelia, Meta shprehet “të dashur anëtarë të Kryesisë së PL, anëtarë dhe simpatizantë, shqiptarë patriotë anembanë vendit dhe Botës, dje narko-drejtësia e narko-regjimit, vendosi të vazhdojë me masën ekstreme të arrestit me burg, ndaj Presidentit të PL-së, forca e dytë opozitare në vend, dhe forca e 3-të politike në vend”.

Në mesazhin e tij, Meta artikulon akuza të forta ndaj Arben Krajës, një prej prokurorëve që po heton ish-Presidentin, duke e cilësuar një prokuror të pafytyrë që dënonte të rinjtë në prag të viteve ’90, vetëm se ishte kundër regjimit të diktaturës.

 

Fraksion.com