Insidor Rexhepi emërohet drejtor i “Antikorrupsionit”
Këshilli i Ministrave ka miratuar emërimin e një drejtori të ri në Drejtorinë e Përgjithshme të Antikorrupsionit. Me vendim të qeverisë, Insidor Rexhepi emërohet drejtor i Përgjithshëm i këtij institucioni.
Rexhepi, ka mbajtur më herët postin e këshilltarit ligjor në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK.
Ky vendim është marrë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të vendimit nr.436, datë 26.6.2024, të Këshillit të Ministrave, për krijimin dhe funksionimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Antikorrupsionit. Këshilli i Ministrave ka ngarkuar Ministrin e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Antikorrupsionit, për zbatimin e këtij vendimi.
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe do të publikohet në Fletoren Zyrtare.
Drejtoria e Përgjithshme të Antikorrupsionit synon hetime administrative, për rastet e dyshuara si praktika abuzive ose korruptive. Në çdo rast, në përfundim të hetimit hartohet raport përfundimtar, i cili i propozohet për miratim drejtorit të Përgjithshëm të DPAK-së. Drejtoria u krijua më 26 qershor dhe do të ketë koordinatorë në 26 institucione.
Fraksion.com