GJKKO vendos sekuestrimin e pasurive të Monika Kryemadhit dhe nënës së saj
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion vendosi sot sekuestrimin e disa prej pasurive të deputetes Monika Kryemadhi dhe nënës së saj, Fatime .
Sekuestrimi i dy vilave të deputetes dhe nënës së saj në zonën e Selitës në Tiranë u zbatua pas kërkesës së SPAK.
Dy vilat në pronësi të deputetes janë me sipërfaqe të njëjtë në total nga 448.9 m2.
Vendimi i Gjykatës së Posaçme është ekzekutuar nga policia gjyqësore në datat 19 dhe 20 Nëntor 2024, duke vendosur bllokimin e pasurive në regjistrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe duke ua komunikuar këtë vendim pronarëve të pasurive.
Deputetja ndodhet nën masën detyrim paraqitje pasi është nën hetim për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në dy raste dhe në bashkëpunim, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” e kryer në bashkëpunim, dhe “Refuzimi për deklarim, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë, ose i çdo personi që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Kryemadhi së bashku me ish-presidentin Ilir Meta akuzohen nga SPAK se gjatë ushtrimit të detyrave të tyre në të shkuarën janë përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie.
Prokurorët e Posaçëm argumentojnë se hetimet treguan se ata kishin përdorur pushtetin për favorizime të njerëzve të tyre dhe kishin marrë prej tyre vlera monetare.
Top Channel ka arritur të zbardhë detaje nga dosja hetimore për çështjen ndaj Kryemadhit, Metës dhe dy të tjerëve, Piro Xhixho dhe Ema Çoku.
Hetimet ndaj Metës nisën në vitin 2019 në lidhje me aferën e njohur si ÇEZ-DIA, që lidhet me privatizimin e ndërmarrjes së shpërndarjes së energjisë dhe mbledhjen e borxheve të mbetura.
Tre vjet më vonë është hapur një tjetër rast, pas një kallëzimi për pagesa në vlerë të mijëra eurove të padeklaruara nga partia e drejtuar nga Meta, për lobim në Shtetet e Bashkuara. Dy rastet, më pas, janë shkrirë në një të vetëm më 2024.
Prokuroria e Posaçme thotë se Meta në cilësinë e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, “ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e përzgjedhjes së kompanisë DIA për të mbledhur borxhet e ÇEZ, edhe pse ajo nuk i përmbushte kriteret ligjore e profesionale”.
Prokuroria thotë se Meta si kryetar Kuvendi, dhe bashkëshortja e tij si deputete,në vitin 2014 kanë përdorur ndikimin e tyre për të futur në tregun e fibrave optike një kompani dhe kanë përfituar më pas përqindje nga fitimet e kompanisë.
Kryetari i Agjencisë së Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) Piro Xhixho, për të cilin është vendosur masa e sigurisë “arrest shtëpie” është thënë se ka ndikuar te drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizimin e marrëveshjes, por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.
Mes tjerash, SPAK ka thënë se Meta dhe Kryemadhi janë përfshirë në marrëdhënie korruptive me një biznesmen (S.M), duke përfituar përkohësisht një vilë si shpërblim për ndikimin e paligjshëm që ata ushtronin ndaj funksionarëve publikë të emëruar nga LSI, në interes të aktiviteteve ekonomike të biznesmenit në fjalë.
Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se Meta e bashkëshortja nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106 mijë eurosh.
Hetimet janë duke vazhduar, me qëllim të mbledhjes së provave dhe për të kuptuar përfshirjen e personave tjerë në këto veprimtari.
“Mbi bazën e kërkesës së SPAK, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes vendimit nr.640 të datë 15 nëntor 2024, ka vendosur masën e sigurimit pasuror ‘Sekuestro preventive’ për dy prona në pronësi të shtetasve F.K dhe M.K.
Kjo masë vjen si vijim i veprimeve hetimore dhe proceduriale në lidhje me procedimin penal nr. 122 të vitit 2022. (https://spak.gov.al/njoftim-per-shtyp-date-21-10-2024-2/)
Pasuritë e sekuestruara janë:
Ndërtesë në Selitë, Tiranë me sipërfaqe;
kati përdhes, 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë;
kati nëntokë 139 m2,
kati i parë 79 m2,
kati i dytë 51 m2, verande kati i dytë 27.9 m2 – në pronësi të shtetases F.K., me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit”.
Ndërtesë në Selitë, Tiranë me sipërfaqe;
kati përdhes 152 m2, nga të cilat 82 m2 banesë dhe 70 m2 verandë,
kati nëntokë 139 m2,
kati i parë 79 m2,
kati i dytë 51 m2, verandë kati i dytë 27.9 m2, në pronësi të M.K.,
me adresë Rezidenca “Kodra e Diellit””, thekson SPAK.
Fraksion.com