Trump zgjedh ish-ligjvënësin Sean Duffy për postin e sekretarit të transportit
Presidenti i zgjedhur Donald Trump njoftoi të hënën se po emëron ish-ligjvënësin nga Viskonsin, Sean Duffy për postin e sekretarit të transportit. Zoti Duffy, një figurë e njohur në televizion dhe i angazhuar për një kohë të gjatë në Fox News, ka qenë një nga mbrojtësit më të zëshëm të zotit Trump.
Zoti Duffy ishte anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve për gati nëntë vjet, ka qenë anëtar i Komisionit për Financat dhe kryetar i Nënkomisionit për Sigurimet dhe Strehimin.
Ai la Kongresin në vitin 2019 dhe tani është një nga drejtuesit e një emisioni në Fox Business, “The Bottom Line”.
Në njoftimin e tij të hënën, zoti Trump vuri në dukje se zoti Duffy është i martuar me një prezantuese të Fox News, duke e quajtur atë “bashkëshortin e një gruaje të mrekullueshme, Rachel Campos-Duffy, një yll në Fox News”.
Zoti Duffy është deri tani prezantuesi i dytë televiziv pjesë e televizionit Fox që emërohet për një pozicion në kabinetin e ardhshëm të Presidentit të zgjedhur Trump, pasi ai njoftoi javën e kaluar se kishte zgjedhur për postin e sekretarit të mbrojtjes, Pete Hegseth.
Zoti Trump tha se zoti Duffy do të përfitojë nga përvoja dhe marrëdhëniet e krijuara gjatë viteve të shërbimit në Kongres “për të mbrojtur dhe rindërtuar infrastrukturën e vendit tonë dhe për të përmbushur misionin tonë për të hyrë në një Epokë të Artë të Udhëtimit, duke u fokusuar tek Siguria, Efektiviteti dhe Inovacioni.”
Në vitin 2022, zoti Duffy përjashtoi mundësinë e një kandidimi për postin e guvernatorit të Viskonsinit, megjithë nxitjen nga zoti Trump për ta bërë një gjë të tillë, duke thënë se i duhej kohë për t’u kujdesur për nevojat e familjes së tij me nëntë fëmijë, duke postuar në mediat sociale se fëmija i tij më i vogël kishte një sëmundje zemre.
Zoti Duffy fitoi zgjedhjet në Kongres si pjesë e një vale të lëvizjes Tea Party në vitin 2010. Ai dhe dorëheqjen në vitin 2019.
Departamenti i Transportit mbikëqyr sistemin kompleks të transportit të vendit, përfshirë gazsjellësit, hekurudhat, makinat, kamionët dhe sistemet e tranzitit, si dhe financimin federal për autostradat.
Nëse konfirmohet, zoti Duffy do të merrte përsipër departamentin në një kohë ndryshimesh të jashtëzakonshme, veçanërisht në autostradat e vendit. Vdekjet nga aksidentet në trafik mbeten në nivele afro rekord në një kohë kur po fillojnë të përdoren teknologji të reja që mund të ndihmojnë në sigurimin e rrugëve.
Departamenti i Transportit përfshin Administratën Kombëtare të Sigurisë së Trafikut në Autostrada, e cila përcakton rregullat pët prodhuesit e automjeteve, përfshirë Teslën e Elon Muskut.
Zoti Trump i ka kritikuar automjetet elektrike si të shtrenjta dhe jo të besueshme dhe e ka quajtur politikën e Presidentit Joe Biden për të promovuar këto makina një “marrëzi”. Ai gjithashtu ka thënë se prodhimi i automjeteve elektrike do të shkatërrojë vendet e punës në industrinë e automjeteve dhe ka pohuar në mënyrë të rreme se makinat me bateri nuk punojnë në mot të ftohtë dhe nuk janë në gjendje të përshkojnë në distanca të gjata.
Ai e ka zbutur retorikën muajt e fundit pasi zoti Musk shprehu mbështetjen e tij dhe bëri fushatë intensive për zgjedhjen e tij.
Në deklaratën e tij ku njoftonte për emërimin, zoti Trump tha se zoti Duffy “do t’i jepte përparësi arritjeve, aftësive, konkurrencës dhe estetikës kur të rindërtojë autostradat, tunelet, urat dhe aeroportet e Amerikës”./VOA
Fraksion.com