AktualitetBota+Të fundit

Rusia njofton se Ukraina ka goditur me 6 raketa amerikane me rreze të gjatë veprimi

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi të martën se Ukraina hodhi gjashtë raketa ATACM të prodhuara nga Shtetet e Bashkuara në rajonin rus të Bryanskut.

Duke iu refereruar një deklarate zyrtare, agjencitë ruse të lajmeve njoftuan se ushtria kishte rrëzuar pesë prej tyre dhe kishte dëmtuar një tjetër.

Sipas autoriteteve ruse disa pjesë të raketave kishin rënë në territorin e një objekti ushtarak, për të cilin nuk u dhanë detaje, duke shkaktuar zjarr. Por Moska tha se copat e raketës nuk kishin shkaktuar dëme materiale, apo viktima.

Ky zhvillim vjen menjëherë pasi Uashingtoni hoqi kufizimet ndaj Ukrainës për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi për të goditur brenda territorit rus.

Ukraina nuk e ka konfirmuar deri tani lajmin.

Më herët të martën, Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës tha se ushtria kishte kryer një sulm ndaj Qendrës së Mbështetjes Logjistike në zonën e Karaçevit që shtrihet në rajonin Bryansk të Rusisë.

Shtabi i Përgjithshëm tha se në zonën që ishte objektiv i sulmit ishin dëgjuar shpërthime të shumta.

Shkatërrimi i depove të municionit të forcave pushtuese ruse, për t’i dhënë fund agresionit kundër Ukrainës, do të vazhdojë”, thuhej në deklaratë.

Agresioni rus në Ukrainë tashmë ka hyrë në ditën e 1000-të të tij.

Ndërkohë Moska sulmoi për herë të tretë zona të banuara në Ukrainë brenda tre ditësh, duke vrarë të paktën 12 persona, përfshirë një fëmijë, ndërsa lufta arriti në ditën e saj të 1000-të. Civilët ukrainas janë sulmuar në mënyrë të përsëritur nga dronët dhe raketat ruse gjatë luftës, ndërsa ushtria e vendit ndodhet nën presion në fushën e betejës duke u përballur me një kundërshtar më të fuqishëm.

Të dielën, një raketë balistike ruse me municione thërrmuese goditi një zonë të banuar në Sumy në veri të Ukrainës, duke vrarë 11 persona dhe duke plagosur 84 të tjerë. Të hënën, një breshëri raketash ruse shkaktoi zjarre në disa apartamente në portin jugor të Odesës, duke vrarë të paktën 10 persona e plagosur 43 të tjerë.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, tha se seria e sulmeve ajrore dëshmon se Presidenti rus Vladimir Putin nuk ishte i interesuar për t’i dhënë fund luftës.

Çdo sulm i ri nga Rusia vetëm konfirmon qëllimet e vërteta të Putinit. Ai dëshiron që lufta të vazhdojë. Atij nuk i interesojnë bisedimet për paqe. Ne duhet ta detyrojmë Rusinë me forcë për një paqe të drejtë”, tha zoti Zelensky.

Fraksion.com