Ish-ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut emërohet zëvendës sekretare e Përgjithshme e NATO-s
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte ka vendosur të emërojë Radmila Shekerinska nga Maqedonia e Veriut si zëvendëssekretare të përgjithshme të ardhshme.
“Kam kënaqësinë të njoftoj emërimin e Radmila Shekerinska si zëvendëssekretare të ardhshme të përgjithshme. Ajo ka një besim të vërtetë në NATO, e di punën që duhet për t’u bashkuar me Aleancën dhe çfarë do të thotë të jesh anëtare e plotë. Mezi pres të punoj me të ndërsa ajo merr këtë rol jetësor.”
Zonja Shekerinska ka shërbyer më parë si zëvendëskryeministre për Integrime Evropiane dhe Ministre e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, duke përfshirë edhe anëtarësimin e vendit në Aleancën e NATO-s në vitin 2020. Ajo do të marrë postin e saj më vonë këtë vit.
Shekerinska do ta zëvendësojë zëvendëssekretarin e Përgjithshëm në detyrë, Boris Ruge, i cili e mori këtë pozitë përkohësisht në fillim të vjeshtës, pasi zëvendëssekretari i atëhershëm, Mircea Geoana njoftoi se do të garonte për president të Rumanisë.
Disa zyrtarë të NATO-s, të cilët folën me kusht që të mbeteshin anonimë, thanë për Radion Evropa e Lirë se ekzistonte një dëshirë e fortë që këtë pozitë ta merrte dikush nga Evropa Qendrore dhe Lindore dhe ajo t’i takonte një gruaje.
Ndër kandidatët e tjerë ishin ish-ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Maria Gabriel, ish-presidentja e Kroacisë, Kollinda Grabar-Kitaroviq, dhe Olivera Injac, e cila ishte ministre e Mbrojtjes në Malin e Zi nga viti 2020 deri në vitin 2022.
Shekerinska do të jetë zyrtarja më e lartë e NATO-s nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, jashtë Bashkimit Evropian. Aktualisht, ajo është nënkryetare e Partisë së Socialistëve Evropianë.
Roli kryesor i zëvendësit të sekretarit të Përgjithshëm është ta zëvendësojë kreun dhe t’i kryesojë takimet e 32 ambasadorëve në Këshillin Veri-Atlantik dy herë në javë, ose në çdo takim urgjent, përfshirë edhe Këshillin NATO-Ukrainë.
Fraksion.com