AktualitetPolitikëTë fundit

“Grabitje e pronave në zonat e bregdetit”, Dule: Probleme me regjistrimin e pronave në Himarë, Finiq e Dropull

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule ngriti sërish shqetësimin e pronave në bashkitë Himarë, Finiq dhe Dropull.

Duke folur në seancën e sotme plenare ku prej orëve të para të paradites po diskutohet në parim projektbuxheti për vitin 2025, Dule tha se grabitja e pronave në këto bashki është kthyer në politikë.

“Kemi një tendencë e cila është kthyer në politikë të grabitjes së pronave kryesisht në zonat e bregdetit. Sa here e paraqesim si shqetësim, marrim një përgjigje standarde: kudo ka probleme me pronat. Në Republikën e Shqipërisë, regjistrimi i parë ka arritur në 91 %. Në bashkinë e Himarës, Dropullit dhe Finiqit është në masën 60 %. Në të njëjtën kohë faza e dytë pas regjistrimit të parë është dhënia e titujve të pronësisë. Në rang kombëtar është 55 %, në bashkinë e Himarës është vetëm 20 %, në Finiq po 20 % dhe në Dropull 30 %. Në këtë 20 % të Himarës 10 %, gjysma e totalit, u takon atyre që kanë blerë prona në fshtrat turistike apo apartamente të ndërtuara, pra janë të ardhur. Vetëm 10 % e vendasve pronarë të ligjshëm”, tha Dule.

Dule po ashtu ngriti shqetësimin e mungesës së investimeve në rrugët lidhëse me Greqinë.

“Dy prej pikave kufitare që lidhin vendin Shqipërinë me Greqinë ende nuk kanë infrastrukturën e nevojshme. Mungon rruga për lëvizjen e mjeteve. Teksa ka fluks të lartë udhëtarësh, sidomos në periudhën e verës dhe festave të fundvitit”, tha ai.

“Keni ardhur me një buxhet të mirëqenies së shifrave”, tha Dule, “dhe të mjerimit të qytetarëve”.

 

Fraksion.com