AktualitetTë fundit

“Agjenti i infiltruar bleu kokainë tre herë”, Klodiana Lala tregon si SPAK futi në kurth grupin e drogës: Trafikantët paguan 24 mijë euro për lëkurën e lopëve (VIDEO)

Gazetarja Klodiana Lala tha në emisionin “Open”  se zbulimi i laboratorit të kokainës në fshatin Qerekë të Fushë Krujës, ka qenë një punë ekskluzive e SPAK e bazuar në hetime rreth 2-vjeçare.

Pasi SPAK ishte vënë në dijeni për porositjen e ngarkesës, Lala tha se përdori një agjent për të bërë blerje të simuluar në mënyrë që të bëhej akt ekspertimi për të provuar nëse kishte apo jo drogë në lëkurat e kafshëve që ishin sjellë nga Republika Domenikane.

Janë bërë 4 akt ekspertime sipas gazetares dhe pasi është provuar që kishin lëndë narkotike, janë firmosur edhe urdhër ndalimet.

Arsyeja pse ishte zgjedhur Qereka, Lala tha se është bërë pasi është një zonë që nuk monitorohet nga dronët për shkak se ngrihen avionët.

“Kjo ka qenë një punë ekskluzive e SPAK, në lojë Policia ka hyrë vetëm në momentin që janë firmosur urdhër ndalimet. Hetimi ka rreth dy vite. Është marrë informacion që një grup do të trafikonte drogë. Ky grupi kriminal ka marrë licencën e një kompanie për importin e lëkurave dhe nënprodukteve të tjerë. Sipas hetimeve të SPAK, grupi ka porositur në maj lëkurë lopësh të regjur në kripë dhe ka paguar 24 mijë euro në Republikën Dominikane. Në korrik ka mbërritur në portin e Durrësit dhe është vendosur në një magazinë në Mullet.

SPAK ka vendosur që pikërisht më 21 korrik ka bërë tre blerje të simuluara. Është përdorur një agjent për të bërë blerje dhe më pas është bërë akt ekspertimi nëse kishte drogë. Janë bërë tre akte. Ngarkesa e dytë ka mbërritur po nga Republika Dominikane. Ka mbërritur në nëntor në Shqipëri.

Nga Mulleti e transportonin në Qerekë. Ajo vendosej në katin e dytë të një banese ku kishte të gjitha mjetet. Më pas bëhej ndarja e kokainës nga lëkura përmes proceseve kimike. Përmes një acidi.

Në momentin që SPAK është bindur që në lëkurë kishte kokainë, kanë ndërhyrë dhe ka bërë arrestimin e një prej venezuelianëve që po largohej, njërin e ka arrestuar në Kodrën e Diellit, ndërsa kolumbianin dhe të tjerët në një lokal në Vishnjë.

Prokuroria do të zbulojë se cila ka qenë sasia, punën që duhet ta bëjnë ekspertët. SPAK ka folur për vetëm 6 kg kokainë që është kapur.

Është zgjedhur Qereka sepse është afër Rinasit dhe Portit. Ajo mendje që e ka zgjedhur ka qenë gjenial. Për shkak të fluturimeve, në atë zonë është ndaluar të shikohet me dronë. Pra nuk mund të vëzhgoheshin me dron”, tregoi ajo.

 

Fraksion.com