“Procedurë e dyshimtë”, PD: SPAK të hetojë shpalljen investitor strategjik të Turjan Hyskos dhe Brahimajt
Pasi Turjan Hyskon, vëllai i ish-deputetit të PS-së Elio Hysko dhe ish kryebashkiku socialist i Vorës, Hekuran Brahimaj u shpallën invesitorë strategjik, Partia Demokratike i ka kërkuar SPAK që të hetojë procedurat për dhënien e statusit investitorit strategjik për dy personat që kanë lidhje me qeverinë.
Zëdhënësja e antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli tha në një deklaratë për shtyp, se SPAK duhet të hetojë perocedurën e shpalljes së investitorit strategjik dhe se të zbardharë burimin e të ardhura të ligjshme për implementimin e këtij projekti.
“Partia Demokratike kërkon nga SPAK të hetojë procedurën e ndjekur për këtë investim strategjik i cili do të përfshijë tokë shtetërorë dhe private duke zbardhur dhe burimin e të ardhura të ligjshme për implementimin e këtij projekti”, tha Vangjeli.
Deklarata e plotë:
Listës së investitorëve strategjikë të Kryeministrit strategjik Edi Rama i është bashkuar edhe ish nënkryetari socialist i bashkisë Vorë Hekuran Brahimaj.
Edhe pse me një ritëm jo shumë të suksesshëm në biznes duke pasur parasysh se nga 7 biznese të regjistruara në dhe pas vitit 2021, 5 prej tyre janë në likuidim e sipër, ky fakt nuk e pengoi Edi Ramën i cili ka plane të tjera të ndryshme nga zbatimi i ligjit që të miratonte statusin e veçantë të investitorit strategjik për eksponentin e Partisë Socialiste.
Në këtë investim strategjik ish-nënkryetarit socialist të bashkisë Vorë, do ti bashkohet edhe një tjetër personazh i radhëve të rilindjes.
Ai është Turjan Hysko, vëllai i ish-deputetit socialist dhe kryetar i FRESSH, Elio Hyskos.
Kështu, me anë të Vendimit të komitetit strategjik nr. 9, datë 23 Korrik 2024, Edi Rama miratoi në parim masa mbështetëse për vënie në dispozicion të pasurisë së paluajtshme shtetërore me sipërfaqe prej 76,950 m2, në ZK.2518, e zërit kadastral ‘ullishte’ dhe ‘pemtore’.
Investimi parashikohet me vlerë 50 milion euro.
Projekti prek një sipërfaqe prej 41,915 m2 në pronësi ‘private’ të subjekteve aplikuese, gjithashtu një sipërfaqe prej 76,950 m2 në pronësi ‘shtet’. Ndërkohë, subjektet për një sipërfaqe prej 39,009 m2 janë ende në fazë negociatash me subjekte private.
Theksojmë se veprimet procedurale të Ministrisë së Ekonomisë Kulturës dhe Inovacionit, Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Bashkisë Himarë që i duhej me patjetër Edi Ramës pikërisht për këto arsye, si dhe Sekretariatit të Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujit (KKTU) do të jenë në vëmendjen tonë.
Partia Demokratike kërkon nga SPAK të hetojë procedurën e ndjekur për këtë investim strategjik i cili do të përfshijë tokë shtetërorë dhe private duke zbardhur dhe burimin e të ardhura të ligjshme për implementimin e këtij projekti.
Fraksion.com