Opozita nuk e lejon të flasë, Rama: Kjo lloj praktike nuk mund të legalizohet. Parlamenti është vendi ku çdo njeri thotë atë që mendon
Kuvendi është mbledhur sot në një seancë maratonë për të disktuuar projektbuxhetin e shtetit për vitin 2025.
Seanca nisi me debate dhe me kontestime nga ana e deputetëve të opozitës, të cilët nuk lejuan Kryeministrin Edi Rama që të bëjë prezantimin e pr/buxhetit 2025.
Ndërkohë që kryeministri mori fjalën duke u ndalur te skema e pensioneve dhe bonusi i fundvitit për pensionistët, deputetët e PD-së filluan t’i binin tavolinave duke krijuar zhurmë në sallë dhe duke e bërë të pamundur prezantimin e buxhetit.
Pavarësisht thirrjeve të kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali për të respektuar minutazhin e debatit të mazhorancës, i cili sipas saj ishte i njëjtë me kohën akorduar për debat opozitës, deputetët e opozitës vijuan të mos lejonin ecurinë normale të punimeve.
Për këtë arsye Spiropali vendosi të ndërpresë për 5 minuta punimet e seancës plenare.
Kryeministri Rama iu drejtua kryeparlamentares Spiropali duke thënë se kushdo që ndërpret fjalën, duhet të marrë përgjigje me kalim në votim.
“Kjo lloj praktike nuk mund të legalizohet dhe të vazhdojë më tutje. Parlamenti është vendi ku çdo njeri thotë atë që mendon, spostimi fizik nga karriget drejt folësve dhe ulërimat nga vendi duhen sanksionuar me kalim në votim”, u shpreh Rama.
Fraksion.com