Buxheti 2025, Bardhi: Të respektohet procedura parlamentare
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi sot në Kuvend respektimin e procedurës parlamentare lidhur me prezantimin e projektbuxhetit 2025 nga Kryeministri Edi Rama.
Teksa e mori fjalën për procedurë në seancën e Kuvendit, Bardhi tha se “procedura parlamentare nuk caktohet rast pas rasti nga prezenca apo mungesa e Kryeministrit në seancë kërkon që para se të fillojë prezantimi i projektligjit nga nismëtari, deputetët ftohen që t’i bëjnë pyetje nismëtarit dhe më pas ai shpjegon sipas nenit 73/74 të rregullores, fillon prezantimin e projektligjit”.
“Kjo është procedura parlamentare kështu që ne kemi të drejtën të bëjmë pyetje përpara fillimit të diskutimit në parim dhe më pas diskutimi në parim nis me prezantimin e projektligjit nga nismëtari që në rastin konkret është Kryeministri dhe kërkoj të respektohet procedura parlamentare”, tha Bardhi.
Më tej kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se “kryeministri po prezanton pr/ligjin për buxhetin 2025, ministri i Financave është këtu dhe do keni rast pa diskutim që t’i parashtroni pyetjet para ministrit të Finanacave që është ministri kundërfirmosës”.
“Në këtë rast prezantimi i parë është i Kryeministrit për parashtrimin e buxhetit, pas Kryeministrit flet kryetari i grupit ose një person i caktuar prej tij dhe në këtë rast do flisni ju z. Bardhi, dhe më pas vijojmë me pyetjet sipas procedurës. Kërkoj mirëkuptimin tuaj”, tha Spiropali.
Kuvendi zhvillon sot seancën plenare ku në rend të ditës është shqyrtimi në parim i projektbuxhetit 2025.
Fraksion.com