Trump zgjedh guvernatorin e Dakotës së Veriut si sekretar të Brendshëm
Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump, ka emëruar Guvernatorin e Dakotës së Veriut Doug Burgum për të drejtuar Departamentin e Brendshëm, ndërsa kabineti i tij i ri vazhdon të marrë formë.
Ky departament është përgjegjës për menaxhimin dhe ruajtjen e pjesës më të madhe të tokës në pronësi të qeverisë federale së bashku me burimet natyrore.
Po kështu zoti Trump njoftoi të premten se zoti Burgum do të drejtojë një Këshill Kombëtar të Energjisë që do të krijohet për të ndihmuar vendin që të “domininojë në çështje të energjisë” në mbarë globin.
Në këtë rol zoti Burgum do të drejtojë një strukturë që shtrihet në të gjitha agjencitë e degës ekzekutive, të përfshira në çështje që lidhen me lejet për energjinë, prodhimin, shpërndarjen, transportin dhe rregulloret në këtë fushë, shprehej zoti Trump nëpërmjet një deklaratë. Si kryetar i Këshillit Kombëtar të Energjisë, zoti Burgum do të ketë një vend në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, tha presidenti i zgjedhur.
“Ky këshill do të mbikëqyrë rrugën drejt dominimit energjitik të SHBA-së duke shkurtuar burokracinë, rritur investimet e sektorit privat në të gjithë sektorët e ekonomisë dhe duke u përqendruar tek inovacioni dhe jo tek rregulloret e vjetra e krejtësisht të panevojshme”, shkruante zoti Trump.
Politikat e tij të reja do të ndihmojnë në uljen e inflacionit dhe fitimin e një gare me Kinën mbi inteligjencën artificiale, tha zoti Trump.
Zoti Burgum, 68 vjeç, është guvernator me dy mandate i Dakotës së Veriut. Një ish-drejtues ekzekutiv i një kompanie programesh kompiuterike e miliarder, ai u zgjodh për herë të parë në postin e guvernatorit në vitin 2016 dhe u rizgjodh lehtësisht në vitin 2020.
Zoti Burgum kandidoi për një kohë të shkurtër kundër zoti Trump brenda kampit republikan për garën për president në vitin 2023 më pas ai u tërhoq dhe deklaroi mbështetjen e tij për zotin Trump.
Një konservator i vendosur, zoti Burgum, në pozicionin e tij të ri, pritet të jetë një aleat i fortë i përpjekjeve të zotit Trump për të vënë në dispozicion toka publike për kërkime për naftë, gaz e minerale./VOA
Fraksion.com