Kombëtarja rumune falënderon tifozët për “sjelljen” e tyre, FFK paralajmëron ankesë në UEFA
Federata e Futbollit të Kosovës ka paralajmëruar se do të dorëzojë ankesë në UEFA për, siç tha, “provokimet dhe sjelljet raciste” të tifozëve rumunë gjatë ndeshjes në Bukuresht, teksa Kombëtarja rumune e Futbollit ka falënderuar tifozët e saj që ishin të pranishëm gjatë ndeshjes kundër Kosovës.
Më 15 nëntor, futbollistët kosovarë braktisën fushën gjatë ndeshjes kundër Rumanisë në Arena Bukuresht, pasi u ankuan për thirrje raciste nga tifozët rumunë.
“Kombëtarja rumune në Futboll dëshiron t’i falënderojë ata që ishin prezentë për mbështetjen e jashtëzakonshme dhe për sjelljen e tyre në ndeshjen me Kosovën, një ndeshje që do të mbetet në kujtesën e të gjithëve jo vetëm pse zgjati tri orë, por po ashtu si një shembull i unitetit dhe solidaritetit”, u tha në reagimin e Kombëtares rumune më 16 nëntor.
UEFA, shtëpia e futbollit evropian, njoftoi në ueb-faqen e saj se ndeshja është braktisur në minutën e 92-të dhe se më vonë do të japë më shumë hollësi rreth saj.
Ndeshja mes Rumanisë dhe Kosovës u zhvillua në kuadër të Ligës së Kombeve.
“Është për keqardhje gjesti i ekipit mysafir, që zgjodhi të largohej nga fusha pa pajtimin e referit, refuzoi ta përfundonte ndeshjen në fushë në frymën e lojës fer, që reflekton mungesë të respektit jo vetëm për futbollin, por edhe për ata si futbollistë profesionistë”, tha Kombëtarja e Rumanisë, shtetit që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës./REL
Fraksion.com