AktualitetPolitikëTë fundit

Pr/Buxheti i Avokatit i Popullit, Bardhi: Marrëveshja me Italinë s’po zbatohet, kontradiktore kërkesa për komisioner shtesë

Avokatja e Popullit, Erinda Ballanca, nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, kërkoi shtim të organikës së institucionit që ajo drejton, mes tyre edhe një komisioner shtesë për çështjet e emigracionit.

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u përgjigj duke iu referuar marrëveshjes së emigrantëve me Italinë dhe tha se për sa kohë kjo marrëveshje nuk po zbatohet, kërkesa e Ballancës për një komisioner shtesë për çështjet e emigracionit është kontradiktore.

“Ju kërkuat një komisioner për të mbikëqyrur zbatimin e marrëveshjes Shqipëri-Itali? Ka juridiksion Avokati i Popullit për të mbikëqyrur këtë marrëveshje? Për sa kohë kampi është jashtë juridiksionit të Shqipërisë, sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Edhe ky vendim është pak kontradiktor, sepse nga ana tjetër thotë që Shqipëria duhet ta mbajë një sy brenda kampit. Ka vendim të gjykatave italiane që e bëjnë të pazbatueshme marrëveshjen. Nëse vijon e njëjta situatë dhe aty nuk do të ketë emigrantë, a mbetet nevoja sërish për shtesën që kërkuat?” tha Bardhi në komision.

Avokatja e Popullit, shtoi se nevoja për komisioner shtesë për çështjet e emigracionit nuk është vetëm për marrëveshjen e emigrantëve, por edhe për gjithë çështjet e tjera të emigracionit.

“Ne kërkojmë një person ekstra për çështjen e emigracionit në tërësi, por përveç asaj, Avokati i Popullit beson se ka detyrime për të mbikëqyrur të drejtat e njeriut brenda kampit. Gjykata Kushtetuese ka thënë se sa i takon të drejtave të njeriut dhe të drejtave konventore, këta emigrantë do të kenë mbrojtje të përforcuar, edhe nga Shqipëria dhe nga Italia. Ne kemi bërë disa takime me homologët italianë, për të pasur një veprimtari të përbashkët për të koordinuar punën dhe për mbrojtjen e garantimin e të drejtave themelore. Kemi marrë kontakt dhe jemi duke qartësuar pozicionin tonë. Fakti që ne mendojmë të shkojmë me ekipe të përbashkëta, secili do të ketë mundësi të paraqesë gjetjet e veta sa i takon të drejtave të njeriut”, u shpreh Ballanca.

Fraksion.com